Donat Rrudhani dhe Rilind Nivokazi kanë shkëlqyer në fitoren e Sionit ndaj Servettes, duke shënuar nga një gol në triumfin 2-0 të skuadrës së tyre.
Ndeshja u zhvillua të shtunën mbrëma dhe i takoi javës së 14-të të Superligës së Zvicrës.
Rrudhani zhbllokoi rezultatin në minutën e 51-të, ndërsa Nivokazi e dyfishoi epërsinë e Sionit në minutën e 70-të, duke vulosur fitoren e rëndësishme ndaj Servettes.
Të dy futbollistët u zëvendësuan në minutën e 72-të, ndërsa Kreshnik Hajrizi ishte në fushë deri në minutën e 79-të. Benjamin Kololli nuk u aktivizua dhe e ndoqi ndeshjen nga banka e rezervistëve.
Në anën tjetër, portieri Leo Besson ishte në bankën e rezervistëve te Servette.
Për Rrudhanin, ky ishte goli i katërt në këtë edicion, ndërsa ka regjistruar edhe tri asistime në kampionat.
Në formë të mirë po vazhdon të jetë edhe Nivokazi, i cili me golin ndaj Servettes ka arritur në kuotën e shtatë realizimeve, krahas tri asistimeve./Telegrafi/