Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të hënën në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, rikthimin e dialogut strategjik dhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka-Pula ka theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet synim parësor i Kosovës, duke vlerësuar si kyçe mbështetjen amerikane në këtë proces.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Gjatë takimit, presidentja e ka falënderuar në veçanti senatoren Jeanne Shaheen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës, duke i ndarë asaj Medaljen Presidenciale të Meritave.
Në njoftimin e Presidencës është vlerësuar qëndrimi i Shaheenit në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it. Po ashtu, si iniciativë me rëndësi është cilësuar letra që senatorja i ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me praninë ushtarake amerikane në Kosovë.
Sipas Presidencës, kjo prani ka rëndësi strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon.
Shiroka-Pula ka rikujtuar gjithashtu reagimin e senatores Shaheen pas sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe thirrjet e saj për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Medalja Presidenciale e Meritave iu nda Shaheenit në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës dhe kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon.
Burimi: Dukagjini
