Theresa May e “tronditur” nga ideja e Andy Burnham për ribashkimin me BE-në

Theresa May e “tronditur” nga ideja e Andy Burnham për ribashkimin me BE-në

Written by

in

Theresa May i ka bërë thirrje Andy Burnham-it që “të ecë përpara”, në vend që ta zhysë Mbretërinë e Bashkuar në kaos përmes një përpjekjeje për t’u rikthyer në BE.

Ish-kryeministrja – mandati i së cilës u shkatërrua pikërisht nga përplasjet rreth Brexit-it – theksoi se vendi kishte votuar për Brexit-in.

Baronesha May paralajmëroi se t’u thuash njerëzve se “e kanë pasur gabim” do të shkaktonte zemërim të madh, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.

Ajo u shpreh e “tronditur” nga ideja që e gjithë koha e Qeverisë t’i kushtohej sërish negociatave me bllokun evropian.

Ndërkohë, Sir Tony Blair nga Partia Laburiste e ka zbutur entuziazmin e tij për BE-në, duke argumentuar se Mbretëria e Bashkuar duhet të rikthehet vetëm nëse tregon më shumë gatishmëri për të përqafuar “inovacionin teknologjik”.

Këto ndërhyrje erdhën pasi kryeministri i tanishëm britanik foli me bujë për një “nisje të re” (reset) me BE-në, gjatë një samiti në Bruksel të premten.

Kryeministri britanik u bëri thirrje gjithashtu liderëve evropianë që të diskutonin së bashku me të se si mund të jetë marrëdhënia e ardhshme.

Madje, Burnham ka lënë të kuptohet se një angazhim për t’u rikthyer në BE mund të përfshihet në programin zgjedhor të ardhshëm të Partisë Laburiste.

E në një intervistë për BBC-në, Lady May tha se përvoja e saj në Qeveri nxori në pah rreziqet e rikthimit në betejat e Brexit-it.

“… Nuk bëhet fjalë vetëm për kohën e kryeministrit, të ministrave të kabinetit apo të zyrtarëve, nëpër ato lëvizje të vazhdueshme për negociatat. Sepse duhet të negociosh fort për t’u siguruar që po arrin atë që dëshiron”.

“Dhe kjo është një nga arsyet pse mbetem disi e tronditur nga ajo për të cilën flet Andy Burnham – negociata të mëtejshme për t’u futur në BE. Përveç kësaj, ne si vend votuam për Brexit-in”.

“Kur isha kryeministre, isha shumë e qartë: ne duhet ta përmbushim atë votë. Ndaj, mesazhi im për të është ky: njerëzit votuan për Brexit-in. Brexit-i është një çështje e mbyllur. Thjesht pranojeni Brexit-in dhe ecni përpara”.

Lady May – e cila mbështeti qëndrimin në BE gjatë referendumit të vitit 2016, por më pas u përpoq pa sukses të arrinte një marrëveshje për zbatimin e rezultatit – tha se organizimi i një votimi tjetër mbarëkombëtar mund t’i zemërojë votuesit.

David Cameron, i cili udhëhoqi fushatën për qëndrimin në BE gjatë referendumit, i ka kërkuar gjithashtu zotit Burnham të mos e rihapë çështjen e Brexit-it. /Telegrafi/