
Të paktën 14 persona mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese banimi, e cila u godit nga një dron rus të dielën në mëngjes, në rajonin e Kievit në Ukrainë.
Kështu ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka shtuar se po vazhdojnë veprimet e kërkim-shpëtimit.
“Një pjesë e një ndërtese banimi pesëkatëshe është shembur pas një sulmi me dron rus. Falënderoj ekipet e para të reagimit për veprimin e shpejtë: nëntë persona tashmë janë evakuuar dhe zjarri është vënë nën kontroll”, tha Zelensky në X.
Zyrtarët lokalë thanë se dy persona, përfshirë një adoleshent, janë lënduar.
Pamjet e shërbimeve emergjente treguan ekipet e shpëtimit duke kërkuar nëpër një grumbull të madh rrënojash, si dhe duke ndihmuar banorët të largoheshin nga ndërtesa e dëmtuar përmes shkallëve dhe platformës së vinçit.