U kap dy ditë radhazi duke vozitur mbi 140 km/h në zonën 60 km/h, i sekuestrohet vetura

U kap dy ditë radhazi duke vozitur mbi 140 km/h në zonën 60 km/h, i sekuestrohet vetura

Written by

in

U kap dy ditë radhazi duke vozitur mbi 140 km/h në zonën 60 km/h, i sekuestrohet vetura

Një shofer në rrugën Prishtinë–Pejë nuk është ndalur as nga gjoba prej 500 eurosh dhe as nga masa e ndalimit të drejtimit të automjetit, pasi është kapur dy ditë radhazi duke tejkaluar ndjeshëm kufizimin e shpejtësisë në fshatin Qyshk të Pejës.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, rasti i parë është evidentuar më 10 tetor 2026, kur shoferi po drejtonte automjetin me shpejtësi prej 164 kilometrash në orë, në një segment ku kufizimi është vetëm 60 km/h.

Shkelja është konstatuar përmes radarit laser, ndërsa kundërvajtësit i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse me ndalim të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.

Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, më 11 tetor, i njëjti shofer është kapur sërish në të njëjtin lokacion, këtë herë duke lëvizur me 140 km/h, ndonëse shpejtësia e lejuar ishte 60 km/h.

Policia ka bërë të ditur se në momentin e shkeljes së dytë, shoferi kishte ndalesë për drejtimin e automjetit deri më 18 nëntor 2026.

Për kundërvajtjen e përsëritur, atij i është shqiptuar sërish gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse me ndalim të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj. Po ashtu, policia ka sekuestruar automjetin, transmeton Klankosova.tv.

Në reagimin e saj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë rrugore.

Organet e rendit kanë theksuar se ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit do të ketë zero tolerancë, duke u bërë thirrje shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut.