Kompania Skeyes ka njoftuar se nuk mund të garantojë funksionimin normal të shërbimit nga ora 07:00 deri në 21:00. Për këtë arsye, aeroporti i Brukselit ka paralajmëruar anulimin e pjesës më të madhe të fluturimeve, si në nisje, ashtu edhe në mbërritje. Edhe aeroporti i Charleroi-t ka njoftuar ndërprerje të operacioneve, ndërsa përjashtim do të bëjnë vetëm fluturimet e emergjencës dhe ato të domosdoshme për sigurinë.
Vetëm në Bruksel, për këtë datë ishin planifikuar rreth 59 mijë e 500 pasagjerë dhe 429 fluturime. Udhëtarëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore për të kontrolluar statusin e fluturimeve dhe mundësinë e ndryshimit të datës së udhëtimit. Ndërkohë, kufizime të mëdha priten edhe në transportin publik, përfshirë autobusët, tramvajët dhe metronë.
Greva është organizuar nga sindikatat, kundërshtojnë masat shtrënguese dhe reformat ekonomike e sociale të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever. Sipas tyre, kjo është protesta e 11-të kombëtare që prej ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale, duke shënuar një tjetër përshkallëzim të pakënaqësisë ndaj politikave të saj.
Burimi: RTKLive
