Tri vrasje tronditin Gjilanin, një 53-vjeçar dyshohet se vrau djalin e tij

Tri vrasje tronditin Gjilanin, një 53-vjeçar dyshohet se vrau djalin e tij

Written by

in

Mbrëmja e së dielës ishte e rëndë për famijen Arifi, nga të shtënat me armë zjarri i vdekur ka mbetur një 29 vjeçar, ndërsa i dyshuari, në këtë rast, babai i viktimës është ende në arrati.

Derisa trupi i viktimës ndodhej në obduksion, familja hapi dyert për ngushëllime. Për viktimën dhe të dyshuarin, të afërmit thonë se nuk kanë pasur asnjëherë problem me askënd dhe se ky rast i ka habitur të gjithë.

“Është i afërmi im, kushëri. Kurrë nuk kemi dëgjuar që ka pasur ndonjë problem. As vëllai i tij nuk di të na tregojë nëse ka pasur ndonjë konflikt. Por, kështu qenka shkruar. Nuk kemi ende informata. Vetura i është gjetur në kufi, në Kukaj, ndërsa për babanë ende nuk dihet asgjë”, tha Fadil Rexhepi, familjar.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në raportin e saj ka bërë të ditur se në shtëpinë ku ndodhi rasti janë sekuestruar dy pushka, një pistoletë, 68 fishekë dhe 4 gëzhoja, derisa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

Të dhëna për rastin ka dhënë edhe Prokuroria Speciale, sipas të cilës i dyshuari 53 vjeçar për motive ende të panjohura ka privuar nga jeta djalin e tij, 29 vjeçar.

Sipas Prokurorisë, asnjëri nga ta nuk kanë pasur të kaluar kriminale e as ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje.

E pas rasteve të fundit, komuna e Gjilanit ka mbajtur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni tha se ka kërkuar rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

Burimi: RTKLive