
Bota e modës dhe e luksit ka humbur një prej figurave të saj më emblemë. Paolo Bulgari, kryetari i shtëpisë së njohur italiane të bizhuterive “Bvlgari” dhe nipi i themeluesit të saj, ka ndërruar jetë në Romë në moshën 89-vjeçare.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar vetë familja e tij përmes një deklarate prekëse të publikuar në gazetën prestigjioze italiane Il Sole 24 Ore, ku ai cilësohet si një figurë e pazëvendësueshme e këtij zanati.
“Argjendari më i madh i kohës sonë është larguar nga kjo jetë”, thuhet në njoftimin e familjarëve, të cilët e përshkruan si një njeri të jashtëzakonshëm, që e donte pafundësisht Italinë dhe shërbeu si ambasador i saj në mbarë botën.
Nga tradita familjare te perandoria globale e luksit
Paolo Bulgari ishte nipi i Sotirios Voulgaris, mjeshtrit që themeloi shtëpinë e bizhuterive në kryeqytetin italian në vitin 1884.
Ai mori drejtimin e grupit “Bvlgari” si kryetar saktësisht një shekull më vonë, në vitin 1984. Nën udhëheqjen e tij vizionare, kompania njohu një zgjerim të vrullshëm ndërkombëtar, duke u shndërruar nga një biznes i famshëm romak në një prej gjigantëve më të njohur të industrisë globale të luksit.
Krijimet unike të “Bvlgari”-t u bënë të preferuarat e yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it dhe personaliteteve të familjeve mbretërore, përfshirë këtu edhe Princeshën Diana. Sot, marka mbetet një simbol i elegancës italiane, me një aktivitet të shtrirë jo vetëm në bizhuteri, por edhe në orë të shtrenjta, parfume dhe aksesorë të tjerë luksozë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali