Pesë raste të mbajtjes, kontrollit apo posedimit të paautorizuar të armëve janë raportuar në Podujevë, Pejë, Rahovec dhe Skenderaj.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar në Podujevë, më 19 nëntor, rreth orës 22:00, ku gjatë kontrollit te një burrë kosovar është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me nëntë fishekë. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është evidentuar në Podujevë, më 22 nëntor, rreth orës 10:43. Gjatë kontrollit në veturën e një burri kosovar është gjetur një pushkë gjuetie me tetë fishekë. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Pejë, po më 22 nëntor, rreth orës 19:30, gjatë një pike kontrolli policore, te një burrë kosovar është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, një karikator dhe shtatë fishekë. Me urdhër të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Rahovec, më 22 nëntor, rreth orës 09:15, policia ka arrestuar një burrë kosovar, pasi gjatë kontrollit në veturën e tij, në një çantë, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Edhe në Skenderaj është regjistruar një rast i ngjashëm. Më 22 nëntor, rreth orës 04:13, gjatë kontrollit te një burrë kosovar është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me një karikator dhe gjashtë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka konfiskuar armët dhe municionin, ndërsa rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente. /Telegrafi/