
Përfaqësuesja e Malit të Zi në konkursin e bukurisë Miss Universe 2026, 22-vjeçarja Marija Aleksandra Ivezaj, ka tërhequr vëmendjen gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare në Porto Riko, pasi në skenë bëri shqiponjën dykrenare me duar.
Gjesti i saj u shoqërua me reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale, pasi ky simbol lidhet me identitetin kombëtar shqiptar.
Prezantimi u mbajt më 21 nëntor në San Juan, ndërsa Ivezaj më vonë publikoi edhe fotografi në profilin e saj në Instagram, ku shihet duke bërë të njëjtin simbol me kostumin kombëtar.
Veprimi i saj tërhoqi vëmendje të veçantë për faktin se ajo përfaqëson Malin e Zi në këtë garë ndërkombëtare, ndërsa shqiponja dykrenare përdoret gjerësisht si simbol i identitetit shqiptar.
Disa media rajonale e cilësuan gjestin si të diskutueshëm, megjithatë nuk ka ndonjë konfirmim se Ivezaj kishte për qëllim të përcillte mesazh politik përmes këtij veprimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali