Një “Trump” i rremë ndërpret fjalimin e kryeministrit kanadez, skena bëhet virale

Një “Trump” i rremë ndërpret fjalimin e kryeministrit kanadez, skena bëhet virale

Written by

in

Një imitues i presidentit amerikan Donald Trump iu bashkua kryeministrit kanadez Mark Carney gjatë darkës vjetore të organizuar nga Galeria Parlamentare e Shtypit në Ottawa, ku politikanët shkëmbyen batuta dhe ironizuan njëri-tjetrin.

Carney, 61-vjeçar, ishte duke mbajtur fjalimin e tij kur në skenë u shfaq papritur një imitues i Trumpit, me fytyrë të ngjyrosur dhe flokë të verdhë, duke imituar gjestet, mënyrën e të folurit dhe lëvizjet karakteristike të presidentit amerikan.

Imituesi e largoi Carney-n nga foltorja dhe nisi të bënte shaka me popullaritetin e tij, ndërsa në skenë ndodhej edhe një komedian që imitonte kryeministrin kanadez.

“Kemi dy Carney këtu, është katastrofë. A nuk është e pabesueshme? Dy Carney, ai është kaq popullor. Pothuajse po aq sa unë”, tha imituesi, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

– YouTube www.youtube.com

Më pas, parodia mori edhe tone politike, duke u përqendruar te marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Mark, do të arrijmë një marrëveshje të jashtëzakonshme, si të gjitha të tjerat. Unë e quaj Mark, nuk e quaj ‘guvernator’ në sy, sepse jam frikacak”, tha imituesi, duke iu referuar mënyrës se si Trump e ka quajtur më parë kryeministrin kanadez.

“Por do të kemi një marrëveshje të shkëlqyer. Ka vetëm një pengesë: unë, sepse jam i çmendur”, shtoi ai.

Imituesi bëri shaka edhe me ndryshimet e shpeshta në administratën amerikane, duke deklaruar se kishte ardhur në këtë ngjarje për të gjetur një sekretare të re për shtyp.

Edhe vetë Carney ironizoi presidentin amerikan gjatë fjalimit të tij.

“Kjo është një audiencë e vështirë. Dhe unë kam qenë në Zyrën Ovale. Vetëm. Me dekoruesin e saj të ri”, tha kryeministri kanadez.

Imitimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Kanadasë dhe SHBA-së mbeten të tensionuara për shkak të tarifave tregtare të vendosura nga administrata Trump.

Carney ka deklaruar se Kanadaja nuk do të tërhiqet nga kërkesat për një marrëveshje të drejtë tregtare dhe ka kundërshtuar idenë e Trumpit që vendi të bëhet shteti i 51-të amerikan.

Kryeministri kanadez synon të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin deri në fund të vitit 2026. /Telegrafi/