Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se ka nisur funksionimi i Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), përmes të cilit qytetarët dhe bizneset mund të realizojnë transfere të menjëhershme të parave.
Sipas njoftimit të BQK-së, tashmë janë realizuar me sukses edhe transferet e para, ndërsa në fazën fillestare shërbimi është aktivizuar në katër nga dhjetë bankat që operojnë në Kosovë.
Bankat që tashmë ofrojnë këtë shërbim janë ProCredit Bank, Banka për Biznes (BPB), Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.
“Klientët e këtyre bankave mes vete mund të kryejnë transfere të shpejta deri në 3,000 euro për transfer, kur banka e dërguesit dhe banka e pranuesit janë të dyja pjesëmarrëse në TIPS-K”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sistemi mundëson që transferet të realizohen brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Shërbimi mund të përdoret përmes llogarive ekzistuese dhe platformave digjitale të bankave, si mobile banking dhe e-banking.
Ndërkohë, BQK-ja ka bërë të ditur se bankat e tjera do t’i bashkohen sistemit në mënyrë graduale, pas përfundimit të përgatitjeve teknike dhe operative.
“Bankat e tjera do t’i bashkohen sistemit gradualisht dhe në vijimësi, pas përfundimit të përgatitjeve të nevojshme teknike dhe operative, brenda periudhës kalimtare tremujore, e cila përfundon më 23 shkurt 2027”, thuhet në njoftim.
Transferet që përfshijnë banka të cilat ende nuk janë pjesë e TIPS-K, si dhe ato që tejkalojnë kufirin prej 3,000 eurosh, do të vazhdojnë të realizohen përmes kanaleve ekzistuese të pagesave.
BQK-ja gjithashtu ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes gjatë kryerjes së transfereve, duke verifikuar të dhënat e pranuesit para konfirmimit të pagesës.
“Klientët duhet të kontrollojnë të dhënat para konfirmimit, përfshirë emrin, mbiemrin, IBAN-in dhe shumën, si dhe duhet të kenë kujdes që të mos i japin askujt asnjë të dhënë të sigurisë ose të dhënë tjetër të ndjeshme”, thekson BQK-ja.
Në rastet kur një transfer i shpejtë nuk konfirmohet menjëherë, qytetarëve u rekomandohet të kontrollojnë statusin në aplikacionin e bankës ose të kontaktojnë bankën përkatëse para se ta përsërisin pagesën.
Sistemi TIPS-K ishte lansuar për bankat më 20 nëntor 2026, në një ceremoni zyrtare të organizuar nga BQK-ja. Ndërkaq, me fillimin e funksionimit të tij, projekti rajonal TIPS Clone do të inaugurohet edhe në një ceremoni zyrtare në Bankën e Italisë, në Romë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë të BQK-së. /Telegrafi/