
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar sqarime nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit në Bruksel.
Lushaku-Sadriu e ka cilësuar zhgënjyes incidentin e ndodhur në kryeqendrën evropiane, duke thënë se tashmë një javë po presin një kërkimfalje institucionale ndaj Republikës së Kosovës.
Ajo ka theksuar se Kosova është shoqëria më proevropiane në rajon dhe se Bashkimin Evropian e sheh si perspektivë për të ardhmen e shtetit.
“Më lejoni krejt në fillim që të shpreh edhe habinë edhe zhgënjimin për një incident që ka ndodhur në Bruksel javën e kaluar e në fakt ishte zhgënjyes për ne, edhe në përgjithësi si shoqëri sepse ne jemi shoqëria më proevropiane e rajonit dhe e shohim Bashkimin Evropian si perspektivën tonë të shtetit tonë. Pra, ishte dhe zhgënjyese për mungesën e përfaqësimit institucional në këtë forum dhe ashtu siç e dimë të gjithë forumi i zgjerimit është një forum i cili ka shumë qëllime të përçojë mesazhe pajtuese në mes të shteteve të cilat kanë qenë në konflikt me njëra-tjetrën dhe tek e fundit misioni i Bashkimit Evropian është që të ndihmojë vendet t’i tejkalojnë këto ndasi dhe të bëjnë hapa përpara në integrimin evropian”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së ka deklaruar se nga Bashkimi Evropian presin një kërkimfalje institucionale dhe formale ndaj Kosovës.
“Prandaj, më vjen keq por dua vërtetë ta shpreh zhgënjimin tim dhe ka një javë që po presim një kërkim falje institucionale dhe formale ndaj Republikës së Kosovës për të sqaruar këtë incident dhe për t’u siguruar që janë marrë masat që në të ardhmen mos të kemi situata të tilla”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Këto komente ajo i bëri gjatë takimit të Komisionit për Integrime Evropiane, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel.
Takimi u mbajt i mbyllur për media.
Burimi: Insajderi