Pretendoi se vuante nga leukemia dhe mblodhi afro 190 mijë euro, familjarët e Endrit Azemit kërkuan para edhe në sheshin e Gjilanit

Pretendoi se vuante nga leukemia dhe mblodhi afro 190 mijë euro, familjarët e Endrit Azemit kërkuan para edhe në sheshin e Gjilanit

Written by

in

Pretendoi se vuante nga leukemia dhe mblodhi afro 190 mijë euro, familjarët e Endrit Azemit kërkuan para edhe në sheshin e Gjilanit

Endrit Azemi është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute dhe duke grumbulluar përmes donacioneve afro 190 mijë euro.

Rasti lidhet me një fushatë humanitare të organizuar përmes platformës “GoFundMe”, por edhe me mbledhjen e parave të gatshme nga qytetarët në sheshin e Gjilanit.

Shumë qytetarë kishin kontribuar financiarisht në këtë fushatë, me shpresën se po ndihmonin në trajtimin dhe rehabilitimin e Endrit Azemit.

Madje, motra e tij, Kosovare Azemi, kishte bërë edhe thirrje publike për ndihmë, duke kërkuar nga qytetarët që të kontribuonin aq sa kishin mundësi.

Megjithatë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se pas verifikimeve është konstatuar se i dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një histori të pavërtetë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Nga kjo fushatë dyshohet se janë grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.

Pas pranimit të informacioneve të para, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë nisur hetimet, gjatë të cilave kanë arritur t’i bllokojnë paratë në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në kuadër të rastit.

I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Gjilan me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Rasti po hetohet për veprën penale të “Mashtrimit”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, i dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim përfundimtar të gjykatës.

Burimi: Insajderi