
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se fruthi vazhdon të përhapet në vend, ndërsa deri më 22 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 381 raste.
Sipas njoftimit, 45 raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit, në gjithsej 26 komuna të Kosovës. Pjesa dërrmuese e personave të prekur janë fëmijë, transmeton Klankosova.tv.
IKShPK bën të ditur se mbi 95 për qind e rasteve janë regjistruar te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Instituti paralajmëron se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Ndërkohë, gjatë këtij viti, përmes aktiviteteve të vaksinimit plotësues, janë vaksinuar mbi 4 mijë e 187 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se u mungon ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet përkatëse për ta plotësuar vaksinimin.
Instituti ka rekomanduar gjithashtu kujdes të shtuar për foshnjat nën moshën 12 muajshe, të cilat ende nuk e kanë marrë vaksinën MMR, duke këshilluar që të kufizohet ekspozimi i tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.