
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë akuza të forta lidhur me tregtinë e energjisë elektrike në Kosovë, gjatë paraqitjes në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ymeri deklaroi se para një viti e gjysmë kishte dërguar në Prokurorinë Speciale dyshimet se Vuk Hamoviqi, përmes kompanisë NOA, po manipulonte tregun dhe po ndikonte në rritjen artificiale të çmimeve të energjisë elektrike.
Sipas saj, këto dyshime janë vërtetuar edhe përmes të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku, siç tha ajo, është evidentuar rritje dhe manipulim i çmimeve të tregtisë së energjisë elektrike.
“E ka pësuar konsumatori fundor”, deklaroi Ymeri.
Gjatë intervistës, moderatori Fidan Jupolli e pyeti nëse në këtë çështje është përfshirë edhe Prokuroria, duke e përmendur kryeministrin Albin Kurti.
“A e ka kap edhe Prokurorinë Albin Kurti?”, ishte pyetja e Jupollit.
“Mendoj që po”, u përgjigj Ymeri.
Deputetja e LDK-së foli edhe për tregtinë e energjisë me Serbinë, duke kritikuar mënyrën se si Qeveria po i interpreton të dhënat e origjinës në Doganë.
Ajo tha se origjina e regjistruar në Doganë nuk nënkupton domosdoshmërisht origjinën e rrymës apo përfituesin e biznesit.
“Këto muhabete nuk mundet me mi shitë mu”, u shpreh Ymeri.
Sipas saj, është e vërtetë se ka pasur tregti me Serbinë dhe, siç pretendoi ajo, këtë fakt nuk po arrijnë ta demantojnë.
“E vërteta është që edhe e kanë pranuar se ka pasur tregti me Serbinë dhe nuk po munden ta demantojnë”.