Postimi i Mehmetajt, Çitaku i reagon Gecit: S’marrim leje prej teje për ta mbrojtur UÇK-në

Postimi i Mehmetajt, Çitaku i reagon Gecit: S’marrim leje prej teje për ta mbrojtur UÇK-në

Written by

in

Postimi i Mehmetajt, Çitaku i reagon Gecit: S’marrim leje prej teje për ta mbrojtur UÇK-në

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të ish-deputetit Gani Geci ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, pasi ky i fundit me anë të një postimi, kishte bërë një reagim ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se, ndonëse nuk pajtohet gjithmonë me qëndrimet e Mehmetajt, mospajtimet siç tha ajo, janë pjesë e një shoqërie demokratike

“Lirim Mehmetaj më ka kundërshtuar me emër e mbiemër, jo një herë, por shumë herë. Nuk pajtohem me të, as me debatin e sontëm. Por kjo është krejt normale në një shoqëri demokratike. Nuk kemi pse të pajtohemi për gjithçka, as të mendojmë njësoj”.

“Por t’i vërsulemi Lirimit për deklaratat e tij publike dhe të kërkojmë që ai të japë “besë” apo “mirëbesim” sipas kanunit, është anti demokratike, antikushtetuese dhe çnjerëzore. Liria e shprehjes nuk kushtëzohet nga leja e askujt, e aq më pak nga një gjykim sipas kanunit”, shkroi ajo.

Ajo i është drejtuar Gani Gecit, duke i thënë se nuk marrin leje prej tij, për ta mbrojtur UÇK-në.

“Gani Geci, po ta them qartë: nuk marrim leje prej teje, kurrë, për ta mbrojtur UÇK-në dhe luftëtarët tanë në Hagë. UÇK-ja është histori e popullit tonë. Luftëtarët tanë nuk janë pronë e askujt. Mbrojtja e tyre nuk kërkon lejen e askujt dhe as nuk mund të vihet nën kontrollin e askujt”.

“Mund të kemi mospajtime politike, mund të debatojmë e të kundërshtojmë njëri-tjetrin. Por askush nuk ka të drejtë të vendosë se kush guxon të flasë, kush guxon të mbrojë UÇK-në dhe kush duhet të heshtë. Boll ma”, ka shkruar Çitaku./Klankosova.tv