Sipas të dhënave të Eurostatit, koeficienti Gini në 34 vendet evropiane të përfshira në raport varion nga 23.0 në Sllovaki deri në 43.9 në Turqi.
Euronews, duke iu referuar të dhënave të Eurostatit, raporton se Bullgaria regjistron pabarazinë më të lartë të të ardhurave në Bashkimin Evropian, me koeficientin Gini 37.7, ndërsa mesatarja e BE-së është 29.2.
Pas Bullgarisë renditen Letonia me 35.6, Lituania me 35.5 dhe Serbia me 32.0. Greqia dhe Mali i Zi kanë nga 31.6, Qiproja 31.2, ndërsa Italia dhe Zvicra nga 31.0.
Në anën tjetër, Sllovakia ka pabarazinë më të ulët, me koeficientin 23.0. Pas saj renditen Belgjika me 23.4, Norvegjia me 23.7, Çekia me 24.0, Sllovenia me 24.6 dhe Polonia me 24.9.
Ndër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Gjermania ka koeficientin 30.1, Franca 30.4, Spanja 30.8 dhe Italia 31.0, të gjitha mbi mesataren e Bashkimit Evropian.
Sipas ekspertit Francisco J. Delgado, profesor i asociuar në Universitetin e Oviedos në Spanjë, pabarazia e të ardhurave ndikohet nga tregu i punës, papunësia, pagat dhe politikat qeveritare.
Ai thekson se institucionet e tregut të punës, politikat tatimore dhe transfertat sociale, struktura ekonomike, produktiviteti, kapitali njerëzor dhe mundësitë e barabarta janë faktorët kryesorë që ndikojnë në pabarazi.
Sa i përket Bullgarisë, e cila vazhdon të ketë pabarazinë më të lartë në BE, Delgado përmend disa faktorë, përfshirë tatimin e sheshtë mbi të ardhurat personale, taksat e larta indirekte, transfertat e dobëta sociale, ekonominë informale dhe dallimet rajonale e demografike.
Sipas OECD-së, pabarazia në këtë vend lidhet me dallimet e mëdha në të ardhurat nga tregu dhe rishpërndarjen e dobët. Bullgaria ka një tatim të sheshtë prej 10 për qind mbi të ardhurat, pa prag individual të përjashtuar nga tatimi.
Ndërkohë, Rumania ka shënuar rënien më të madhe të pabarazisë në krahasim me mesataren e saj të mëparshme. Koeficienti Gini në vitin 2025 ishte 27.3, ose 6.4 pikë më i ulët se mesatarja e saj prej 33.7.
Edhe Maqedonia e Veriut, Polonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë regjistruar nivele dukshëm më të ulëta se mesataret e tyre të mëparshme.
Sipas Delgados, përmirësimi në Poloni dhe Rumani është nxitur kryesisht nga rritja ekonomike, rritja e pagës minimale, zgjerimi i shtetit të mirëqenies sociale dhe fondet e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Hungaria ka shënuar rritjen më të madhe të pabarazisë krahasuar me mesataren e saj historike. Koeficienti Gini në vitin 2025 ishte 29.5, ose 1.9 pikë mbi mesataren.
Rritje janë regjistruar edhe në Suedi, me 1.6 pikë, dhe Finlandë, me 1.3 pikë.
Turqia vazhdon të ketë dallim të madh mes të ardhurave, me koeficientin Gini 43.9 në vitin 2025, krahasuar me mesataren 43 për periudhën 2010–2024. Dallimi mes Turqisë dhe mesatares së BE-së është gati 15 pikë.
Sipas OECD-së, kjo pabarazi lidhet me dallimet në arsim, aftësi dhe mundësi për të fituar të ardhura, si dhe me sistemin e kufizuar të taksave dhe përfitimeve sociale. /Burimi: Euro News
Burimi: RTKLive
