Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njëherësh Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ka kryesuar takimin e dytë të Grupit Koordinues, ku u diskutua për avancimin e koordinimit institucional dhe aktivitetet e ndërmarra në kuadër të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Gjatë takimit, u prezantua puna e deritanishme në procesin e hartimit të Strategjisë, përfshirë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aktivitetet e realizuara me grupet punuese. Në këtë kuadër, janë mbajtur takime dhe punëtori të ndryshme, përmes të cilave është diskutuar përmbajtja e Strategjisë dhe përcaktimi i objektivave kryesore që do të udhëheqin veprimet institucionale në këtë fushë.
Ministrja Gërvalla theksoi gjithashtu nevojën për fuqizimin e rolit të Zyrës së Koordinatores Kombëtare, duke vënë në pah se, duhet t’i shtohet edhe komponenti i mbikëqyrjes së respektimit të procedurave, protokolleve dhe ligjeve nga institucionet përgjegjëse. Sipas saj, një mekanizëm i tillë do të ndihmonte në sigurimin e zbatimit të standardeve të përcaktuara dhe në parandalimin e çdo devijimi institucional nga detyrimet ligjore.
Përveç diskutimit për procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit 2027–2029, Ministrja Gërvalla vlerësoi edhe procesin e hartimit të Agjendës Parlamentare, i cili do të mbështetet edhe në konsultime të drejtpërdrejta në terren.
Takimi shërbeu si mundësi për të vlerësuar progresin e deritanishëm dhe për të harmonizuar hapat e mëtejshëm drejt një sistemi më të koordinuar institucional, që garanton parandalim më efektiv të dhunës, mbrojtje të viktimave dhe llogaridhënie të institucioneve përgjegjëse
Burimi: RTKLive
