Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor.
Bashkimin Evropian në këtë samit do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në fokus të takimit do të jetë perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, përshpejtimi i reformave dhe integrimi gradual në tregun e përbashkët evropian.
Liderët pritet të diskutojnë edhe për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin.
Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë forcimi i sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe përballja me kërcënimet kibernetike dhe ato hibride.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe se anëtarësimi i vendeve të rajonit është prioritet dhe investim i rëndësishëm gjeopolitik për Evropën.
Samiti i fundit ndërmjet liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në qershor të këtij viti në Tivat të Malit të Zi.
Burimi: RTKLive
