Trump nuk e mori Groenlandën, por ShBA-ja siguroi një avantazh të madh strategjik në ishull

Trump nuk e mori Groenlandën, por ShBA-ja siguroi një avantazh të madh strategjik në ishull

Written by

in

Trump nuk e mori Groenlandën, por ShBA-ja siguroi një avantazh të madh strategjik në ishull

Marrëveshja e re mes ShBA-së dhe Danimarkës, e ratifikuar javën e kaluar, i mundëson Uashingtonit të zgjerojë praninë ushtarake në Groenlandë dhe të ketë rol më të madh në kufizimin e investimeve strategjike nga vendet jashtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje mbështetet në një pakt të mbrojtjes të vitit 1951 dhe vjen pas disa muajsh tensionesh mes administratës amerikane dhe ishullit, i cili ndodhet nën sovranitetin danez, shkruan Euro News.

SHBA-ja do të mund të zgjerojë aktivitetet në bazën ushtarake Pituffik, si dhe të krijojë dy zona të tjera të mbrojtjes, në Narsarsuaq në jug dhe Mestersvig në lindje të Groenlandës.

Gjithashtu, avionët amerikanë do të kenë të drejta të gjera fluturimi dhe uljeje në ishull, ndërsa anijet amerikane do të kenë qasje në ujërat territoriale.

Marrëveshja parasheh edhe mundësinë e vendosjes së sistemit amerikan të mbrojtjes raketore “Golden Dome”. Megjithatë, numri i trupave, buxheti dhe afatet e zbatimit ende nuk janë përcaktuar, transmeton Klankosova.tv.

Në këmbim, kompanitë groenlandeze do të kenë përparësi, sa herë që është e mundur, në kontratat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve ushtarake.

Edhe pse Bashkimi Evropian nuk është palë në marrëveshje, ajo ka rëndësi strategjike për Evropën, pasi mund të kufizojë ndikimin e Kinës dhe Rusisë në infrastrukturën dhe burimet natyrore të Arktikut.

Investitorët evropianë nuk përjashtohen, ndërsa BE-ja ka një partneritet me Groenlandën për lëndët e para dhe ka njoftuar një paketë investimesh prej 200 milionë eurosh në fusha si energjia dhe infrastruktura.

Marrëveshja nuk ia jep SHBA-së pronësinë mbi mineralet e Groenlandës dhe as nuk ndalon të gjitha investimet nga vendet joperëndimore.

Megjithatë, Uashingtoni fiton një rol më formal në shqyrtimin e disa investimeve të huaja në ishull.

Sipas Rasmus Leander Nielsen, profesor në Universitetin e Groenlandës, synimi është të pengohet përfshirja e Kinës në projektet e mëdha minerare.

Pavarësisht forcimit të pozitës amerikane, marrëveshja riafirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës, si dhe të drejtën e groenlandezëve për vetëvendosje.