Picula: Serbia të hapë arkivat e luftës dhe të japë informacione për të zhdukurit

Picula: Serbia të hapë arkivat e luftës dhe të japë informacione për të zhdukurit

Written by

in

Eurodeputeti kroat Tonino Picula ka kërkuar nga Serbia hapjen e arkivave të luftës dhe dhënien e informacioneve konkrete për personat e zhdukur gjatë luftës në Kroaci.

Në një reagim në rrjetin social X, Picula ka thënë se Vukovari ishte viktimë e agresionit të regjimit të Slobodan Millosheviqit, gjë që, sipas tij, është vërtetuar pa mëdyshje edhe nga gjykatat ndërkombëtare.

Ai ka folur për rezolutën mbi shkatërrimin e Vukovarit, për të cilën është diskutuar në Parlamentin Evropian, duke theksuar se ajo nuk synon thellimin e ndarjeve të vjetra, por kontributin në përcaktimin e së vërtetës dhe mbylljen e plagëve të luftës që vazhdojnë të jenë të hapura.

Picula ka theksuar se më shumë se 1.700 familje ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur.

Ai ka shtuar se përballja me të kaluarën është pjesë e rrugës evropiane dhe se kujtimi për Vukovarin duhet të mbetet i bazuar në të vërtetën dhe respektin për të gjitha viktimat.

Në fund, eurodeputeti kroat ka paralajmëruar se paqja në Evropë nuk është e garantuar, duke përmendur edhe luftën kundër Ukrainës.

Burimi: RTKLive