Kori Siparantum ngjitet në skenën e njohur Smetana Hall në Pragë – prezanton muzikën korale shqiptare

Kori Siparantum ngjitet në skenën e njohur Smetana Hall në Pragë - prezanton muzikën korale shqiptare

Written by

in

Kori Siparantum ka përmbyllur një tjetër rrugëtim artistik ndërkombëtar, kësaj radhe në Pragë të Çekisë, ku mori pjesë në festivalin “Songs of Europe”, duke u prezantuar në disa prej hapësirave më të rëndësishme koncertale të qytetit dhe duke bashkëpunuar me kore e dirigjentë nga vende të ndryshme të botës.

Pjesëmarrja e korit nisi me koncertin mirëseardhës (Welcome Concert), të mbajtur në sallën koncertale të Konservatorit të Pragës, së bashku me koret e tjera pjesëmarrëse në festival.

Një nga paraqitjet kryesore të Siparantumit u zhvillua në ambientet historike të Kostel svatého Martina ve zdi, ku para një salle të mbushur me publik prezantoi një program që ndërthurte krijimtarinë korale shqiptare me repertorin ndërkombëtar.

Në program u interpretuan vepra të kompozitorëve shqiptarë Mark Kaçinari, Kreshnik Aliçkaj dhe Memli Kelmendi, si dhe krijime të përzgjedhura nga literatura korale botërore.

Koncerti u pasurua edhe me interpretimet solistike të Klea Dinës, Erijon Palucajt, Leon Shehut dhe Adea Vllasaliut, ndërsa përcjelljen pianistike e realizuan Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj. Kori u drejtua nga dirigjenti Memli Kelmendi, me Fidan Strumcakun në rolin e asistentit të dirigjentit.

Sipas komunikatës së korit, interpretimet krijuan një atmosferë të veçantë emocionale, ndërsa koncerti u përmbyll me duartrokitje të gjata dhe vlerësime nga publiku.

Programi vazhdoi me koncertin “EUPHONIA”, të mbajtur në Kostel U Salvátora, ku krahas Siparantumit u paraqitën edhe kore nga Gjermania dhe Greqia.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi ishte pjesëmarrja në punëtoritë artistike, ku koristët patën mundësinë të punojnë me Oliver Rudin dhe Daniel Raaflaub. Veprat e përgatitura gjatë këtyre punëtorive u interpretuan më pas nga të gjitha koret pjesëmarrëse në skenën e Smetana Hall, një prej sallave të njohura koncertale të Evropës.

Në këtë program, Kori Siparantum u paraqit nën dirigjimin e Memli Kelmendit, duke interpretuar veprën “Father Thunder” të kompozitores Laura Jekabsone. Sipas komunikatës, interpretimi u përcoll me duartrokitje të gjata dhe u vlerësua nga kritikët e pranishëm.

Një tjetër moment i veçantë ishte interpretimi i veprës “Baba Yetu” të kompozitorit Christopher Tin. Në këtë paraqitje, solisti Leon Shehu interpretoi pjesën solistike së bashku me rreth 400 koristë nga vende të ndryshme të botës, nën dirigjimin e Oliver Rudin.

Përveç aktiviteteve koncertale, përfaqësuesit e Korit Siparantum u pritën edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragënga ambasadorja Albesjana Iberhysaj-Kapitaj dhe përfaqësues të tjerë të ambasadës.

Gjatë takimit u prezantuan rrugëtimi artistik i korit, arritjet dhe çmimet ndërkombëtare ndër vite, si dhe kontributi i tij në promovimin e kulturës së Kosovës. Diskutimet u përqendruan edhe te diplomacia kulturore, mundësitë e bashkëpunimit dhe roli i muzikës në krijimin e urave të komunikimit ndërmjet vendeve dhe kulturave.

Dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, ka vlerësuar rëndësinë e këtij rrugëtimi për zhvillimin artistik të koristëve dhe përfaqësimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

“Praga ka një vend të veçantë në rrugëtimin tim artistik dhe gjithmonë më lidh me emocione të veçanta përmes muzikës dhe artit. Por, mbi të gjitha, ajo që më bën veçanërisht krenar është të shoh koristët tanë duke u rritur artistikisht, duke përjetuar skena prestigjioze dhe duke bashkëpunuar me artistë e dirigjentë të nivelit ndërkombëtar.

Këto përvoja janë pjesë thelbësore e formimit të tyre, sepse skena, kontakti i drejtpërdrejtë me kulturat e ndryshme dhe shkëmbimi artistik krijojnë një përvojë që nuk mund të zëvendësohet. Jam krenar për secilin prej tyre dhe për mënyrën se si përfaqësuan Korin Siparantum dhe Kosovën në Pragë”, ka thënë Kelmendi.

Në fund të komunikatës, Kori Siparantum ka shprehur mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Pragë dhe ambasadoren Albesjana Iberhysaj-Kapitaj për pritjen dhe mbështetjen ndaj përfaqësimit kulturor të Kosovës.

Pjesëmarrjen në festivalin “Songs of Europe”, kori e ka cilësuar si një kapitull tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e tij ndërkombëtar, duke theksuar se përvojat e tilla krijojnë mundësi për shkëmbim artistik, zhvillim profesional dhe promovim të krijimtarisë korale shqiptare.

Kori ka falënderuar organizatorët e festivalit, institucionet shtetërore, Ambasadën e Kosovës në Pragë, si dhe sponsorët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e këtij rrugëtimi. Ndër ta janë Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Hotel Dukagjini, Onix Spa, AFK, Alkaline Water, SLG, Haus PlanIng. GmbH, WCCN, Kolegji AAB, Qendra Kreative Dukagjini, Peja në Fokus, Kisha Katolike Shën Katarina në Pejë dhe Kinema “Jusuf Gërvalla”. /Telegrafi/