
Një informatë për posedim të narkotikëve ka çuar Policinë në parkingun e supermarketit “Viva Fresh Store” në Deçan, ku gjatë kontrollit të një 23-vjeçari është zbuluar një sasi e dyshuar marihuane, e vendosur brenda një pakoje cigaresh. Rasti është marrë në trajtim nga hetuesit e antidrogës në Pejë, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Shkelqim Pupovci, rreth 23 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur më 20 tetor, rreth orës 01:40, në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.
Pas pranimit të informatës për posedim të substancave narkotike, njësitë policore kanë dalë në lokacionin e raportuar, ku kanë hasur në të dyshuarin dhe disa persona të tjerë.
Gjatë kontrollit të Pupovcit, zyrtarët policorë kanë gjetur një pako cigaresh, brenda së cilës ndodhej substanca e dyshuar narkotike.
I riu është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Deçan, ndërsa personat e tjerë janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Pas pranimit të provave nga hetuesit e antidrogës në Pejë, substanca e dyshuar marihuanë është peshuar dhe ka rezultuar me peshë bruto prej 6.8 gramësh.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali