
Një baba në Afrikën e Jugut ka mësuar për vrasjen e vajzës së tij përmes një postimi në Facebook, ndërsa tashmë shpreh pakënaqësi për mënyrën se si policia po e trajton rastin.
Tuku Nkosiyaphantsi kishte disa ditë që nuk po arrinte të kontaktonte vajzën e tij 27-vjeçare, Okuhle. Edhe pse ajo herë pas here shkëputej nga komunikimi, këtë herë mungesa e saj kishte filluar ta shqetësonte, transmeton klankosova.tv.
Ngjarja ndodhi në muajin gusht. Një të shtunë, dy fqinjë e telefonuan Tukin dhe i treguan se kishin parë një njoftim të policisë në Facebook, ku vajza e tij raportohej e zhdukur. Ata kishin parë gjithashtu edhe një fotografi të një gruaje që dukej e lënduar rëndë.
“Kur e pashë fotografinë, kuptova se personi në të kishte vdekur. Kur e shikova më me vëmendje, e kuptova se ishte Okuhle”, rrëfen 50-vjeçari.
Sipas BBC, pas kësaj, ai kontaktoi një zyrtar policor që e njihte. Ky i fundit ia konfirmoi se gruaja në fotografi ishte vrarë dhe se trupi i saj ishte hedhur pranë një lumi në Kokstad, një zonë bujqësore në provincën KwaZulu-Natal, në lindje të Afrikës së Jugut.
Për shkak se morgu ishte i mbyllur gjatë fundjavës, babai u detyrua të priste deri të hënën në mëngjes për të identifikuar trupin e së bijës.
Gjatë identifikimit, ai pa se vajza ishte gjymtuar, ndërsa fytyra e saj ishte goditur rëndë.
“Ishte jashtëzakonisht e dhimbshme, aq shumë sa nuk mund ta pranoj atë që ka ndodhur”, tha ai.
Ndërkohë, këtë vit në Afrikën e Jugut është rikthyer reagimi i fuqishëm publik kundër dhunës ndaj grave. Kjo ndodhi pasi, gjatë verës, trupat e 12 grave, pjesërisht të zhveshura dhe me shenja të rënda dhune, u gjetën të hedhura në hapësira publike në Ekurhuleni, në lindje të Johanesburgut.
Afrika e Jugut vazhdon të renditet ndër vendet me shkallën më të lartë të dhunës me bazë gjinore dhe femicidit në botë, që nënkupton vrasjen e qëllimshme të një gruaje apo vajze.