Fabrizio Romano zbulon arsyen pse Real Madridi po heziton të bëjë ofertë për Michael Olise

Fabrizio Romano zbulon arsyen pse Real Madridi po heziton të bëjë ofertë për Michael Olise

Written by

in

Real Madridi vazhdon të jetë i interesuar për transferimin e Michael Olises, por nuk do të ndërmarrë hapa konkretë pa marrë më parë miratimin e Bayern Munichut, ka bërë të ditur gazetari i njohur Fabrizio Romano.

Duke folur në emisionin “Fabrizio Responde” në DAZN Espana, Romano zbuloi se anësori francez ishte një prej objektivave kryesorë të presidentit Florentino Perez gjatë afatit kalimtar të verës, por ky i fundit nuk dëshironte të negocionte pa lejen e klubit gjerman.

“Verën e kaluar, Olise ishte një obsesion për Florentino Perezin, por ai e bëri të qartë se nuk do të negocionte për të pa marrë dritën jeshile”, deklaroi Romano.

Sipas tij, Perez i kishte garantuar drejtuesit e Bayernit se Reali nuk do të kontaktonte futbollistin apo përfaqësuesit e tij dhe nuk do të paraqiste ofertë zyrtare pa miratimin e klubit bavarez.

Madje, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, kishte zbuluar se Real Madridi kishte kontaktuar dy herë klubin gjatë verës, vetëm për t’i siguruar se nuk po zhvilloheshin negociata të paautorizuara.

Megjithatë, Bayern Munich e konsideron Olisen të paprekshëm dhe nuk ka ndërmend ta shesë, pavarësisht spekulimeve se vlera e tij mund të arrijë nga 150 deri në 200 milionë euro.

Reprezentuesi francez, 24-vjeçar, ka kontratë me bavarezët deri në qershor të vitit 2029, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do të tentojë sërish transferimin e tij në të ardhmen./Telegrafi/