Ukraina ka stabilizuar vijën e frontit dhe ka “thyer aftësinë e Rusisë për të përparuar”, duke vrarë një numër të madh ushtarësh rusë, ka deklaruar ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, në një intervistë ekskluzive për BBC-në.
Në intervistën e tij të parë që nga shkarkimi nga detyra gjatë verës, Syrskyi foli për largimin e tij nga posti, duke kundërshtuar kritikat se ishte tepër “i shkollës së vjetër” për të udhëhequr forcat ukrainase, të cilat po zhvillohen teknologjikisht.
Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat e disa ushtarëve që kishin shërbyer nën komandën e tij. Ata i thanë BBC-së se ishin urdhëruar të qëndronin në pozicionet e tyre edhe kur pothuajse ishin rrethuar nga forcat ruse, gjë që kishte shkaktuar humbje të mëdha.
Syrskyi deklaroi se humbjet e përgjithshme të Rusisë në luftë ishin gjashtë herë më të mëdha se ato të Ukrainës. Sipas tij, nëse llogariten vetëm të vrarët, humbjet ruse janë deri në 11 herë më të mëdha.
As Rusia dhe as Ukraina nuk publikojnë zyrtarisht shifrat e ushtarëve të vrarë. Ushtria ukrainase pretendon se në shtator të vitit 2026 u shkaktoi forcave ruse humbje rekord, por këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Shërbimet britanike të inteligjencës vlerësojnë se Rusia ka humbur rreth gjysmë milioni ushtarë të vrarë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë, në vitin 2022. Ndërkohë, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me seli në SHBA, vlerëson se deri në qershor të vitit 2026, Ukraina kishte humbur deri në 150 mijë ushtarë të vrarë.
Sipas Syrskyt, dallimi në numrin e të vrarëve, përparimi teknologjik dhe strategjia e sulmit ndaj pikave të dobëta të vijës ruse, duke frenuar njëkohësisht përparimin e forcave ruse në pjesë të tjera të frontit, kanë ndikuar në krijimin e ngërçit aktual në fushëbetejë.
Gjenerali tha se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, Rusia kishte arritur të pushtonte gjithsej vetëm 61 kilometra katrorë territor ukrainas.
“Kjo është një tregues se vija e frontit është stabilizuar”, deklaroi ai.
Edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW) ka vërejtur të njëjtin trend. Sipas njërit prej raporteve të tij të fundit, në shtator të vitit 2026, Rusia humbi më shumë territor sesa arriti të pushtonte.
Syrskyi u emërua komandant i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në vitin 2024. Ai kishte marrë vlerësime për udhëheqjen e mbrojtjes së Kievit në fillim të pushtimit rus në vitin 2022, si dhe për drejtimin e kundërofensivës së suksesshme ukrainase në lindje të Harkivit, në vjeshtën e po atij viti.
Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shkarkoi atë gjatë verës, pas një mosmarrëveshjeje të thellë me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Fedorov kishte deklaruar se ushtria nën drejtimin e Syrskyt, në vend që të përshtatej me realitetet e një lufte në ndryshim, kishte penguar nismat e tij.
Fillimisht, Zelensky shkarkoi Fedorovin, ndërsa përplasjet mes dy zyrtarëve u bënë publike. Por, sipas BBC-së, protestat masive në rrugë e detyruan presidentin ta shkarkonte edhe Syrskyn, duke e zëvendësuar atë me gjeneralmajorin 43-vjeçar Mykhailo Drapatyi.
Në intervistën për BBC-në, Syrskyi tha se kishte pasur “mosmarrëveshje” me Fedorovin, pasi ky i fundit, sipas tij, nuk i kishte marrë parasysh interesat e ushtrisë gjatë prokurimit të armëve dhe furnizimeve.
Sipas Syrskyt, Fedorov kishte krijuar një “çekuilibër” në furnizime, duke u dhënë përparësi dronëve dhe duke lënë pas dore pajisje të rëndësishme për vijën e frontit, si automjetet tokësore pa pilot, kamionçinat dhe motoçikletat.
Ai shtoi se edhe në furnizimin me dronë kishte mungesa, pasi ushtria merrte vetëm gjysmën e sasisë që i nevojitej.
Burimi: Dukagjini
