
Kriminologia Dita Çapraz deklaroi se mungesa e edukimit emocional, si në familje ashtu edhe në shkolla, ndikon në mënyrën se si njerëzit përballen me refuzimin, zemërimin dhe konfliktet.
Në emisionin “Ora 7”, ajo ka theksuar se krahas arsimit formal, rëndësi duhet t’i kushtohet edhe edukimit emocional, në mënyrë që fëmijët të mësojnë t’i zgjidhin konfliktet pa agresivitet.
“Ne investojmë në arsimin formal, por shpesh nuk i kushtojmë shumë rëndësi edukimit emocional, qoftë në familje, qoftë në shkolla. Ne nuk i mësojmë fëmijët tanë që të përballen me refuzimin, si ta menaxhojnë zemërimin dhe si t’i zgjidhin konfliktet pa agresivitet”, tha Çapraz.
Ajo ka vlerësuar se edhe bindjet për autoritetin dhe burrërinë mund të ndikojnë në krijimin e sjelljeve kontrolluese dhe të dhunshme.
“Në disa raste vazhdon bindja se dikush duhet të dominojë dhe se kundërshtimi ndaj tij, qoftë ai baba apo bashkëshort, është mungesë respekti. Këto bindje mund të krijojnë terren për kontroll dhe dhunë nga personi që e konsideron veten autoritet”, ka deklaruar ajo.
Kjo temë u trajtua në emisionin “Ora 7”, pas dy vrasjeve të fundit në vend, konkretisht në Gjilan.