Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane, Amir Hatami, urdhëroi të hënën marinën që ta shtrëngojë edhe më shumë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, derisa Shtetet e Bashkuara të përmbushin kushtet e Teheranit. Ndërkohë, Katari po përpiqet të ndërmjetësojë rifillimin e bisedimeve mes dy vendeve.
Hatami paralajmëroi se çdo veprim i ri ushtarak amerikan do të sillte kundërpërgjigje “më të rënda, më shkatërruese dhe pa kufizime gjeografike”, transmeton Telegrafi.
“Derisa të përmbushen shtatë kushtet e Republikës Islamike të Iranit, Ngushtica e Hormuzit jo vetëm që nuk do të hapet, por duhet të mbyllet edhe më shumë çdo ditë. Kushtet për armikun duhet të bëhen më të vështira dhe kontrolli mbi të duhet të forcohet”, deklaroi Hatami para komandantëve të lartë të forcave të armatosura iraniane.
Duke iu referuar urdhrave të liderit suprem, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ai shtoi se nëse SHBA-ja “bën një tjetër gabim dhe nis një luftë të re, goditjet në fazën e ardhshme do të jenë më të rënda, më shkatërruese dhe pa kufizime gjeografike”.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) pretenduan të hënën se tri cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit kishin pësuar “shpërthime të fuqishme dhe zjarre masive” pasi kishin goditur mina detare.
Sipas një deklarate të IRGC-së, një cisternë u godit pranë brigjeve jugore, ndërsa dy të tjerat në pjesën lindore të ngushticës, ndërsa lundronin “nën përcjellje të gjerë ajrore të ushtrisë amerikane”.
IRGC-ja tha se do të publikonte pamje të shpërthimeve dhe paralajmëroi pronarët e anijeve se “përcjellja ushtarake nga ushtria amerikane nuk e zëvendëson respektimin e rregullave detare”.
Megjithatë, Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC), në një raport për periudhën 19-21 nëntor, deklaroi se kishte regjistruar 114 kalime nëpër ngushticë “me ndihmën e Shteteve të Bashkuara”. Ajo theksoi se pretendimet për goditjen e cisternave nga minat detare nuk ishin konfirmuar.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, akuzoi Uashingtonin se po përpiqet t’i imponojë Teheranit një situatë mes luftës dhe paqes. Ai paralajmëroi se ekzistojnë “mënyra ushtarake për ta thyer bllokadën”, të cilat, sipas tij, Irani synon t’i përdorë së shpejti.
Ghalibaf, i cili udhëheq delegacionin iranian në bisedimet në Islamabad, tha se nuk do të ketë negociata apo veprime të mëtejshme pa lëvizje nga ana e Uashingtonit.
“Para zbatimit të shtatë kushteve të Iranit nuk do të ketë as veprime dhe as negociata. Ndaj lëvizjeve të armikut jemi gjithashtu të gatshëm të japim një përgjigje vendimtare dhe ta ndryshojmë gjeografinë e fushëbetejës në rast të ndonjë gabimi nga ana e tij”, deklaroi ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, e cilësoi bllokadën detare si “të barasvlershme me agresion ushtarak” dhe tha se Irani ka të drejtë të përdorë çdo mjet në dispozicion për t’u mbrojtur.
“Sigurisht që nuk do ta tolerojmë këtë situatë dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet tona për t’u përballur me këtë agresion amerikan”, u shpreh ai.
Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, vizitoi të hënën Uashingtonin, ku u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin JD Vance. Në fokus të takimeve ishte përpjekja për të rifilluar negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Pas bisedës me Rubion, Al Thani deklaroi se rajoni “nuk mund ta përballojë një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”. Ai tha se Doha po punon për t’i rikthyer të dyja palët në tryezën e negociatave.
Sipas tij, Katari dhe SHBA-ja po shqyrtojnë gjithashtu mënyra për të forcuar bashkëpunimin ushtarak. Agjencia Associated Press, duke cituar një burim të njohur me takimin, raportoi se biseda e Al Thanit me Vance zgjati rreth 10 minuta.
Vizita në Uashington erdhi pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, të dielën, se sulmet ushtarake ndaj Iranit mund të rifillojnë pas Vitit të Ri. Në fillim të këtij muaji, Trump kishte thënë se i kishte kërkuar Vance-it ta zhvendoste vëmendjen nga Irani te politika e brendshme amerikane.
Ditëve të fundit, Irani ka sulmuar disa herë bazat ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt. Ndërkohë, forcat e armatosura iraniane kanë raportuar pothuajse çdo ditë se cisterna, të cilat i cilësojnë si shkelëse të rregullave, kanë goditur mina detare.
Katari strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe selinë rajonale të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM). Vendi luan gjithashtu një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në marrëdhëniet mes Teheranit dhe Uashingtonit. /Telegrafi/