
Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e 12 tetorit në Ferizaj, ku një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga një lartësi prej rreth 7 metrash gjatë punimeve në një objekt në ndërtim.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 15:50, Policia është njoftuar për një person të lënduar në objektin e “Endriti EEA”, në rrugën “Cen Dugolli”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi emergjent, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e punëtorit.
Viktima është identifikuar si Musli Musliu, punëtor i kompanisë “Hansi SHPK”, e cila ishte duke kryer punimet në objekt.
Sipas informatave fillestare, Musliu kishte qenë duke punuar në objektin në ndërtim kur dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, të cilat kanë rezultuar fatale.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë, Forenzika, Inspektori i Ndërtimit dhe ekipet relevante, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Gjatë hetimeve është intervistuar edhe pronari i kompanisë punëkryese “Hansi SHPK”, Besar Topalli, në cilësinë e të dyshuarit dhe në prani të avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar nëse në kantier janë respektuar masat e detyrueshme të sigurisë në punë dhe të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e punëtorit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Punëtori bie nga 7 metra te objekti i “Endriti EEA” dhe humb jetën – pronari i kompanisë punëkryese ndalohet për 48 orë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali