
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar raportim nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ose nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, lidhur me incidentet e fundit që përfshijnë ushtarët e FSK-së.
Kërkesa u bë gjatë mbledhjes së Komisionit për Siguri, ku Musliu tha se është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të japin sqarime për këto raste, qoftë përmes raportimit me shkrim apo në prezencë.
“E shoh domosdoshmëri me ardhë edhe me na njoftu, qoftë me shkrim, qoftë me prezencë, ose edhe komandanti me ardhë me i sqaru këto çështje për opinionin e gjerë. Sepse nuk kemi nevojë me kriju mjegull për diçka që ka ndodhë dhe është e dukshme”, ka deklaruar Musliu.
Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dyshohet se është lënduar të hënën si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës, në Babaj të Bokës.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër, kur një pjesëtar i FSK-së raportohet se lëndohet gjatë ushtrimeve si pasojë e shpërthimit të municionit.
Burimi: Insajderi