Juventusi është në kërkim të një sulmuesi të ri përpara hapjes së afatit kalimtar të janarit, ndërsa raportimet e së martës bëjnë të ditur se në listën e kandidatëve kryesorë janë katër emra, përfshirë edhe Gianluca Scamaccan e Atalantas.
Trajneri Luciano Spalletti ka folur së fundmi për nevojën e transferimit të një sulmuesi klasik, i cili di të luajë me shpinë nga porta dhe të mbajë topin përballë mbrojtësve kundërshtarë. Sipas tij, as Randal Kolo Muani dhe as Nick Ëoltemade nuk i ofrojnë plotësisht këto karakteristika.
Raportimet e Gazzetta dello Sport dhe Tuttosport sugjerojnë se reprezentuesi italian Scamacca po bëhet një alternativë gjithnjë e më konkrete për Juventusin në afatin kalimtar të janarit.
Sulmuesi i Atalantas i ka karakteristikat fizike dhe gjatësinë që kërkon Spalletti, por minutazhi i tij këtë sezon është kufizuar për shkak të formës së mirë të Nikola Krstovicit. Për më tepër, një lëndim i lehtë në kofshë muajin e kaluar ka ndikuar në aktivizimin e tij. Që nga fillimi i tetorit, Scamacca ka luajtur vetëm 37 minuta në Serie A.
Një tjetër faktor që mund ta lehtësojë këtë lëvizje është njohja e mirë mes tij dhe drejtorit ekzekutiv të Juventusit, Giovanni Carnevalit, me të cilin ka punuar më parë te Sassuolo.
Ndërkohë, të dy mediumet përmendin edhe Alexander Sorlothin e Atletico Madridit si një kandidat të mundshëm. Corriere dello Sport shkon edhe më tej, duke raportuar se sulmuesi norvegjez është objektivi i preferuar i Juventusit për afatin kalimtar të janarit.
Megjithatë, Atletico Madridi nuk është i interesuar për oferta fillestare në formë huazimi për Sorlothin, sidomos nëse klube të tjera, si Stuttgart, janë të gatshme të ofrojnë transferim të përhershëm gjatë dimrit.
Juventusi mund të përpiqet të përfshijë në marrëveshje Jonathan Davidin, i cili aktualisht është i huazuar në Madrid, ose Nico Gonzalez, që sezonin e kaluar luajti si i huazuar nën drejtimin e Diego Simeones. Megjithatë, realizimi i një shkëmbimi të tillë në janar konsiderohet i vështirë.
Në mesin e emrave të tjerë të përmendur në raportimet e së martës është edhe Varela, i cili po kalon formë të shkëlqyer. Sulmuesi pritet të kushtojë mbi 40 milionë euro dhe për të ka interesim nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Një tjetër alternativë është Jean-Philippe Mateta i Crystal Palace, i cili ishte lidhur edhe më parë me një transferim te Juventusi, gjatë afatit kalimtar të dimrit të kaluar. Emri i tij është përmendur nga Gazzetta dello Sport.
Gjithashtu, është raportuar se Joshua Zirkzee mund të jetë në dispozicion për t’u larguar nga Manchester Unitedi. Megjithatë, ekzistojnë dyshime nëse sulmuesi holandez i posedon karakteristikat e një qendërsulmuesi klasik, të cilin po e kërkon Spalletti./Telegrafi/