
Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, në një konferencë për media para Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, mbështetje financiare për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe nënshkrimin e marrëveshjes për projektin prej 74 milionë eurosh.
“Me një nga kamionët e stërvjetruar të ndërmarrjes dhe punëtorët e saj në prapavijë, Musmurati ka prezantuar sfidat me të cilat përballet kompania në ofrimin e shërbimit të pastrimit në kryeqytet. Musmurati i ka kërkuar ministrit Hekuran Murati që të nënshkruajë marrëveshjen për projektin prej 74 milionë eurosh, për të ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjes “Pastrimi”, e jo për të kontribuar në falimentimin e saj” – thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Sipas tyre, projekti i zhvilluar në bashkëpunim me bankën gjermane KfW, parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, ndërtimin e një qendre të riciklimit dhe modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
“Musmurati ka rikujtuar se Qeveria e Kosovës, më 18 dhjetor 2024, ka dhënë miratimin në parim për këtë projekt, ndërsa marrëveshja ende nuk është nënshkruar. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se javën e kaluar u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke ua dorëzuar dokumentacionin zyrtar të projektit dhe duke kërkuar llogaridhënie nga ministri i Financave” – theksohet në njoftim.
Nënkryetarja ka kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për stabilizimin financiar të ndërmarrjes “Pastrimi”, parandalimin e falimentimit, mbrojtjen e vendeve të punës dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit për qytetarët.
Në përfundim të konferencës, Musmurati ka përsëritur kërkesën drejtuar ministrit Murati për mbështetjen e ndërmarrjes dhe nënshkrimin e marrëveshjes që do të mundësonte modernizimin e shërbimit të pastrimit në kryeqytet.