Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të rrisë normën e interesit në mars të vitit 2027

Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të rrisë normën e interesit në mars të vitit 2027

Written by

in

Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) pritet t’i japë fund politikës së normës zero të interesit gjatë vitit 2027, ndërsa shumica e ekonomistëve parashikojnë që rritja e parë të ndodhë në mars.

Sipas një ankete të realizuar nga agjencia AWP, vetëm disa institucione financiare, përfshirë BAK Economics dhe Raiffeisen, parashikojnë një ndryshim të politikës monetare më të hershëm.

Ekonomisti i Raiffeisen, Fredy Hasenmaile, vlerëson se mundësia e rritjes së normës së interesit në dhjetor të këtij viti është më e madhe sesa parashikojnë aktualisht tregjet financiare, shkruan Watson.

Ai e arsyeton këtë me ecurinë e mirë të ekonomisë dhe parashikimet për inflacion më të lartë.

Shumica e ekonomistëve presin ndryshime në mars

Shumica e ekspertëve parashikojnë një rritje fillestare të normës së interesit prej 0.25 pikësh përqindjeje në mars dhe një rritje tjetër në qershor të vitit 2027.

Në këtë mënyrë, norma bazë e interesit në Zvicër do të arrinte në 0.5 për qind deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Banka Kantonale e Cyrihut (ZKB) parashikon që kjo normë të arrijë në 0.75 për qind deri në fund të vitit 2027, transmeton Telegrafi.

Vendimi i bankës qendrore do të varet kryesisht nga zhvillimet e inflacionit, i cili në tetor arriti në 1.5 për qind. Sipas ekonomistëve, kjo rritje lidhet kryesisht me shtrenjtimin e naftës.

Franga zvicerane luan rol të rëndësishëm

Një faktor tjetër vendimtar për politikën monetare mbetet kursi i këmbimit të frangës zvicerane.

Shqetësimet rreth financave publike të Francës dhe mundësisë së një krize të re në eurozonë kanë rritur kërkesën për frangën zvicerane si monedhë e sigurt.

Si rezultat, vlera e euros ka rënë nga 0.95 në 0.92 franga zvicerane.

Një frangë e fortë zvicerane i bën importet më të lira dhe ndihmon në uljen e inflacionit, duke zvogëluar nevojën për rritjen e normave të interesit.

Për këtë arsye, Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të ndjekë me kujdes zhvillimet ekonomike dhe kursin e këmbimit përpara se të vendosë për normalizimin gradual të politikës monetare./Telegrafi/