Momenti i shpërthimit në një restorant plot me njerëz në Vietnam, të paktën gjashtë të vdekur

Momenti i shpërthimit në një restorant plot me njerëz në Vietnam, të paktën gjashtë të vdekur

Written by

in

Sipas autoriteteve vendase, një shpërthim në një zonë të populluar banimi në Hanoi, kryeqytetin e Vietnamit, ka lënë të paktën gjashtë të vdekur dhe 10 të plagosur.

Siç raportojnë mediat vendase, shpërthimi ndodhi të martën rreth orës 08:00 në një restorant në distriktin Dong Da.

Ai theu dritaret dhe shkaktoi dëme të rënda në ndërtesat e shtëpitë përreth.

Në momentin e shpërthimit, restoranti ishte plot me njerëz.

Ministria e Sigurisë Publike beson se ngjarja lidhet me gazin e përdorur për gatim.

Gazeta vietnameze “VnExpress” raporton se ka frikë se nën rrënoja mund të ketë ende njerëz të bllokuar; ekipet e shpëtimit kanë kaluar orë të tëra duke kërkuar mes gërmadhave.

Një banor i zonës e përshkroi shpërthimin si “shurdhues”.

“Pashë një shkëlqim të fortë drite dhe më pas dyert, xhamat e gjithçka tjetër përreth meje fluturuan”, tha banori, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, për gazetën “VietNamNet”.

Dhjetëra zjarrfikës dhe ekipe të tjera shpëtimi u dërguan në vendngjarje.

Sipas “VnExpress”, edhe më shumë se katër orë më vonë, ekipet po vazhdonin të kërkonin mes rrënojave; në vendngjarje ndodhej edhe kryetari i bashkisë së qytetit.

Raporti shton se autoritetet kanë evakuuar banorët nga ndërtesat përreth, të cilat janë konsideruar si të pasigurta nga ana strukturore. /Telegrafi/