Numri i vjedhjeve me thyerje në Zvicër është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa muajt nëntor dhe dhjetor konsiderohen periudha me rrezikun më të lartë.
Kështu tregojnë statistikat e grupit të sigurimeve Helvetia-Baloise, sipas të cilave numri i rasteve është rritur nga 27 në 42 për çdo 10 mijë polica sigurimi, duke shënuar një rritje prej rreth 60 për qind, shkruan SRF.
Krahas numrit të vjedhjeve, është rritur edhe vlera e sendeve të vjedhura.
Derisa në vitin 2021 vlera mesatare e sendeve të vjedhura ishte 6,500 franga zvicerane, në vitin 2025 ajo ka tejkaluar 7,100 franga. Në këto shifra nuk përfshihen dëmet e shkaktuara në ndërtesa.
Nëntori dhe dhjetori, muajt me më së shumti vjedhje
Sipas statistikave, rreth një e katërta e të gjitha vjedhjeve me thyerje regjistrohen gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ndërsa numri më i ulët i rasteve shënohet në qershor.
Shtëpitë individuale janë më të rrezikuara sesa banesat në ndërtesat kolektive.
“Shtëpitë individuale shpesh u ofrojnë autorëve më shumë mundësi për t’u tërhequr dhe kanë më pak mbikëqyrje nga fqinjët”, ka deklaruar Philipp Götschmann, përgjegjës për dëmet në pronë në kompaninë Helvetia.
Kantonet më të prekura nga vjedhjet
Sipas të dhënave të kompanisë së sigurimeve, kantonet me numrin më të lartë të vjedhjeve për çdo 10 mijë polica sigurimi janë: Gjeneva me 87 raste, Vaudi me 60 raste dhe Basel Stadt me 53 raste, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, kantoni Obwalden ka regjistruar shkallën më të ulët, me vetëm gjashtë raste.
Sa i përket vlerës së sendeve të vjedhura, kantoni Zug kryeson me një mesatare prej mbi 12 mijë frangash për rast.
Personat e moshës 56 deri në 65 vjeç rezultojnë të jenë më të rrezikuarit.
Si të mbroheni nga vjedhjet?
Paratë e gatshme, sendet me vlerë dhe pajisjet elektronike mbeten ndër objektivat kryesore të hajdutëve.
Ekspertët rekomandojnë që qytetarët të mbajnë të kyçura dyert dhe dritaret, të shmangin dhënien e shenjave se nuk ndodhen në shtëpi dhe të përdorin ndriçimin për të krijuar përshtypjen e pranisë së dikujt.
Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të mos mbajnë shuma të mëdha parash të gatshme në shtëpi apo në vendet e punës./Telegrafi/