Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Paraburgimi është kërkuar për ish-vjehrrën e Zekajt, Nurije Sylaj, ish-kunatin Driton Sylaj, si dhe Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin.
Sipas Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se ndihmuan në kryerjen e vrasjes, kurse Metë Pepaj e Gëzim Bobi, dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn pas kryerjes së vrasjes. Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për “Shtytje në vrasje të rëndë”.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Aty thuhet se nga data 22 tetor 2026, kur viktima Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke siguruar dhe ruajtur në telefonin e saj mobil fotografi dhe video që pasqyrojnë praninë dhe lëvizjet e saj.
Ndërsa, Prokuroria thekson se në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet, video kjo që dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë dhe me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke krijuar kështu kushte dhe duke lehtësuar realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në ditën kritike, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e ka sulmuar viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ka qenë prezente dhe në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin, ndërsa pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e dhënë në cilësi të dëshmitares, dyshohet se ka tentuar t’i devijojë hetimet dhe të fshehë rrethanat e vërteta të ngjarjes, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.
Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nga provat e deritanishme, nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë, sidomos njërës ku shihet zhvillimi i një pjese të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.
Me këtë, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprs penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Ndërsa, Driton Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Ai ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar më 23 tetor 2026 duke ecur në qytet, ndërsa videon e realizuar ia ka dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp, me ç’rast materiali është gjetur në telefonin e kësaj të fundit.
Këto veprime, Prokuroria vlerëson se Driton Sylaj i ka ndërmarrë duke qenë në dijeni për planin e personave të tjerë për privimin nga jeta të viktimës dhe me qëllim që, përmes sigurimit dhe transmetimit të informacioneve për lëvizjet e saj, të krijojë kushte dhe të lehtësojë realizimin e veprës penale. Dhe , pas kryerjes së vrasjes, Albert Sylaj e ka njoftuar për vrasjen e viktimës.
Me këtë, Driton Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Kurse, Metë Pepaj dyshohet se më 25 tetor 2026, me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së Arlinda Zekajt, Pepaj e ka marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e ka transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largojë nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet kompetente, duke i mundësuar kështu shmangien e përkohshme nga arrestimi dhe kapja nga policia.
Me këtë, Metë Pepaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.
Në anën tjetër, Gëzim Bobi po ashtu dyshohet se me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë. Kjo pasi, më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj deri në fshatin Bec, e ka marrë dhe e ka strehuar në banesën e tij në Gjakovë, duke i mundësuar fshehjen dhe qëndrimin larg organeve të rendit.
Ndërsa, sipas Prokurorisë më 26 tetor 2026, rreth orës 11:30, me automjetin e tij e ka transportuar Albert Sylajn në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim të vazhdimit të fshehjes së tij dhe shmangies nga arrestimi dhe kapja prej organeve kompetente.
Me këto veprime, Gëzim Bobi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.
Prokurori Armend Hamiti ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Nurije dhe Driton Sylaj ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e veprës penale, ndërkaq Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi pas kryerjes së veprës penale.
Prokuroria thekson se dyshimi i bazuar mbështetet në provat materiale dhe personale të administruara gjatë zhvillimit të hetimeve, duke theksuar me rëndësi të veçantë ekzaminimin e incizimeve të kamerave të sigurisë dhe telefonave të sekuestruar, provat tjera materiale dhe deklaratat e të dëmtuarës. Gjithashtu, dyshimi i bazuar mbështetet edhe në përmbajtjen e procesverbaleve të marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të pandehurit Albert Sylaj.
Prokuroria vlerëson se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës, veçanërisht përmes ndikimit, frikësimit apo ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, sidomos ndaj familjarëve të tyre.
Prokuroria: Nga ekzaminimi i telefonave rezulton se kishte komunikimet shqetësuese dhe kërcënuese ndaj një dëshmitareje dhe një të miture
Aty thuhet se nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar rezulton se kishte komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj dëshmitares A.S., dhe të miturës NN., e që këto elemente tregojnë mundësinë e ushtrimit të ndikimit mbi sjelljen dhe qëndrimin e tyre.
Në një nga mesazhet drejtuar vajzës së mitur të Albet Sylajt, thuhet se përdoren shprehjet fyese e nënçmuese, ku citohet “është qika e re, mashtrohet naj sen, ma q**** nanen mos u bofshi ma zi se ajo“, duke iu referuar kontekstit të rrethanave të rastit.
Andaj, thuhet se dëshmohet ekzistimi i një klime frikësimi dhe presioni ndaj personave që kanë njohuri për ngjarjen penale ose që mund të kontribuojnë në ndriçimin e saj. Po ashtu, sipas Prokurorisë, me lënien e të pandehurve në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale.
Prokuroria thekson se duhet marrë parasysh edhe pesha e veprës penale dhe mënyra mizore e kryerjes së saj e motivuar nga hakmarrja e paskurpullt ndaj viktimës Arlinda Zekaj. Më tej, thuhet se duhet marrë parasysh se e gjithë ngjarja ka ndodhur si pasojë e veprimeve të mëhershme të të pandehurve Jeton Sylaj, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, të cilat janë zhvilluar edhe në prani të fëmijëve të të pandehurit- përkatësisht djalit të viktimës.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, rëndësi të veçantë ka edhe mosndërmarrja e veprimeve për të parandaluar vrasjen, pavarësisht rrethanave dhe mundësisë për të reaguar.
Prokuroria: Nurije dhe Driton Sylaj shqetësim s’e kishin vrasjen, por mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes në rast
Kurse, thuhet se nga përmbajtja e komunikimeve të siguruara nga ekzaminimi i telefonave të Nurije dhe Driton Sylajt, rezulton se shqetësimi kryesor i tyre nuk lidhet me pasojën e rëndë (vrasjen e Arlinda Zekajt), por me mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes së tyre në ngjarjen kriminale.
Për më tepër, Prokuroria në dosje thekson se nga këto komunikime rezulton se të pandehurit kanë ushtruar presion dhe kanë drejtuar kërcënime lidhur me mundësinë që të jetojnë te familja e A.S., ku thuhet “Diçka nije për to, shoh diçka, dije se tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty, me ditë që s’e shoh diellin kurrë me sy“.
Kërcënimet e tilla, sipas Prokurorisë, dëshmojnë ekzistimin e një qëndrimi intimidues ndaj personave që mund të kenë njohuri për rrethanat e rastit, njëkohësisht është tregues se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të vazhdojnë me sjellje të kundërligjshme.
Sipas dosjes, nga komunikimet mes Driton dhe Nurije Sylajt, vërehet se kjo e fundit ka rol me ndikim të veçantë në procesin e marrjes së vendimeve brenda familjes. Dhe se në ato komunikime, nuk vërehet shprehje e keqardhjes apo distancim nga vrasja mizore e Arlinda Zekajt.
“Përkundrazi, përmbajtja e këtyre komunikimeve, veçanërisht shqetësimi i tyre lidhur me mundësinë e zbulimit të bashkëpunimit, duhet të vlerësohet se bashku me provat e tjera të administruara gjatë hetimit, që mund të jenë relevante për të sqaruar rolin, raportet dhe qëndrimet e tyre në raport me planifikimin dhe realizimin e veprës penale nga i pandehuri Albert Sylaj”, thuhet në kërkesë.
Po ashtu, shqetësuese sipas Prokurorisë janë edhe kërcënimet e drejtuara ndaj dëshmitares A.S., dhe të miturës NN.
Prandaj, Prokuroria ka vlerësuar se mënyra mizore e kryerjes së veprës penale dhe pesha e veprës penale, rrethanat specifike që i kanë paraprirë dhe e kanë shoqëruar ngjarjen, si dhe sjelljet e të pandehurve pas kryerjes së veprës penale, të manifestuara përmes komunikimeve kërcënuese dhe shqetësimi për zbulimin e bashkëpunimit të tyre, të vlerësuara në tërësinë e tyre, përbëjnë rrethana konkrete dhe objektive që mbështesin ekzistimin e rrezikut për përsëritjen e veprave penale.
Andaj, Prokuroria potencon se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme, kështu që është e nevojshme caktimi i paraburgimit në mënyrë që të zhvillohet me rregull dhe pa pengesë procedura penale. /BetimipërDrejtësi/