
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të katër personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka kërkuar që hetimet për këtë rast të vazhdojnë në të gjitha dimensionet, deri në zbardhjen e plotë të tij.
“Mirëpres çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në zbardhjen e plotë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë jo vetëm të kryesve, por edhe të të gjithë atyre që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e këtij krimi”, ka shkruar Sveçla, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka theksuar se vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj.
Në reagimin e tij, Sveçla ka përmendur edhe dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridonës.
“Dënimi me burgim të përjetshëm i konfirmuar dje ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridonës është një dëshmi e rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka kërkuar gjithashtu që të hetohet përgjegjësia e të gjithë atyre që mund të kenë qenë në dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda Zekaj, por nuk kanë vepruar për ta mbrojtur atë.
“Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit”, ka përfunduar Sveçla.