Autoritetet italiane kanë dëbuar dy shtetas të huaj nga territori i vendit, një egjiptian 44-vjeçar dhe një shqiptar 30-vjeçar, pas shkeljeve të përsëritura të ligjeve italiane dhe rikthimit ilegal në Itali, pavarësisht dëbimeve të mëparshme.
Sipas mediaa italiane, Siracusanews, shqiptari 30-vjeçar kishte një histori kriminale që përfshinte vepra penale kundër pasurisë, shmangie të vazhdueshme të vendimeve të autoriteteve gjyqësore dhe shkelje të përsëritura të rregullave të emigracionit.
Ai ishte dëbuar nga Italia në vitin 2024, por ishte rikthyer sërish në mënyrë të paligjshme.
Që nga marsi i vitit 2026, ai mbahej në burgun e Sirakuzës, ndërsa gjyqtari i mbikëqyrjes së burgjeve vendosi dëbimin e tij si masë alternative ndaj vuajtjes së dënimit.
Operacioni i riatdhesimit u realizua përmes një eskorte ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, autoritetet kanë proceduar edhe dëbimin e një shtetasi egjiptian 44-vjeçar, i cili ishte identifikuar në territorin e Rosolinit.
Ai kishte hyrë në Itali në vitin 2015 dhe ishte dëbuar po atë vit, pasi ishte ndaluar nën dyshimet për ndihmë ndaj emigracionit të paligjshëm.
Megjithatë, në mars të vitit 2026 ishte rikthyer ilegalisht në Itali dhe ishte arrestuar sërish për të njëjtën vepër penale.
Pas marrjes së autorizimit nga autoritetet gjyqësore, egjiptiani do të dërgohet në një qendër për qëndrimin dhe riatdhesimin e të huajve (CPR), nga ku do të procedohet kthimi i tij në vendin e origjinës./Telegrafi/