
Një vajzë e mitur 13-vjeçare amerikano-shqiptare, me origjinë nga Shkodra, është abuzuar seksualisht.
Ngjarja e rëndë është regjistruar disa ditë më parë, kur ajo ishte larguar dhe nuk ishte kthyer në shtëpi. Denoncimin e ka bërë në polici e ëma, pasi i ati i vajzës ndodhet në burg.
Menjëherë, forcat e Policisë së Shkodrës, por edhe të drejtorive të tjera vendore, nisën kërkimet për 13-vjeçaren, së bashku me Prokurorinë.
Gjatë hetimeve të seksionit kundër trafiqeve, të drejtuara nga shefi i këtij sektori në Policinë e Shkodrës, Jordan Istrefi, dhe vëzhgimit të lëvizjeve e kamerave të sigurisë, 13-vjeçarja ka qenë në disa qytete të ndryshme të vendit, ku është abuzuar seksualisht.
Pas disa ditësh kërkimesh, 13-vjeçarja u gjet në Tiranë, në një gjendje të rënduar psikologjike. Vajza e mitur, pas ekzaminimeve mjekësore, por edhe vetë dëshmisë së saj dhe provave të mbledhura nga Policia e Shtetit, rezulton se është abuzuar seksualisht nga të rritur në disa qytete të Shqipërisë.
Deri më tani janë arrestuar disa shtetas, ndërsa janë në kërkim edhe disa të tjerë, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me 13-vjeçaren. Aksioni nuk është përmbyllur ende. Në disa prej rasteve ka dyshime të forta se të miturës abuzuesit i kanë dhënë para kundrejt marrëdhënies intime.
Sipas verifikimeve të grupit hetimor, e mitura ka shkuar në disa qytete të Shqipërisë. Fillimisht në Fier, më pas edhe në Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Burrel dhe në fund u rikthye në Tiranë. Në gjithë këto qytete, e mitura dyshohet se është abuzuar nga persona të ndryshëm, ku një pjesë janë arrestuar, ndërsa të tjerë janë në kërkim.
Nga hetimet, 13-vjeçarja ka lëvizur e vetme, herë me autobus dhe herë me taksi. Në gjithë këtë histori, të paktën deri më tani, sipas hetimeve, ajo nuk shoqërohej nga askush dhe të gjitha veprimet e saj nuk rezultojnë se kanë qenë të detyruara nga ndonjë person për ta shfrytëzuar. Lëvizjet e vajzës janë dokumentuar nga kamerat e sigurisë në këto qytete.
13-vjeçarja për momentin ndodhet në një qendër sociale institucionale në Tiranë, në gjendje të rëndë psikologjike, nën kujdesin e psikologëve, mjekëve dhe punonjësve socialë, ndërsa rasti po ndiqet nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe Ambasada Amerikane.
Babai i 13-vjeçares është një person i dënuar me burg, ndërsa e mitura jetonte me nënën. Edhe më përpara kishte ikur nga shtëpia, por për 2-3 orë dhe ishte rikthyer, ndërsa këtë radhë ndërmori këto veprime të rënda.
Sipas TCH, vajza në fjalë dyshohet se ka marrë disa bizhuteri ari në shtëpi dhe i ka shitur dhe me ato para ka lëvizur dhe jetuar në qytetet e ndryshme ku ka shkuar, përveç parave që dyshohet se ka përfituar më pas nga disa prej personave të arrestuar dhe në kërkim.
Janë të paqarta arsyet e largimit drejt disa qyteteve të Shqipërisë të të miturës nga Shkodra dhe po ashtu arsyet që e çuan drejt kryerjes së marrëdhënieve intime me abuzuesit.
Policia e Shtetit vijon hetimet intensive për të arrestuar të gjithë shtetasit që kanë abuzuar me 13-vjeçaren, ndërsa mendohet se janë 7 ose më shumë persona. Grupi hetimor po punon për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje shokuese. Policia e Shtetit akoma nuk e ka përmbyllur aksionin dhe në ditët në vijim pritet komunikata për shtyp.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali