
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i ka cilësuar si akte legjitime të vetëmbrojtjes sulmet ndaj një anijeje luftarake ruse dhe një anijeje tregtare në ujërat libiane, pas kritikave të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë, me seli në Tripoli.
Sybiha deklaroi se anijet luftarake ruse, si dhe ato tregtare që transportojnë pajisje ushtarake, përbëjnë objektiva legjitime për Ukrainën. Ai iu referua Nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili garanton të drejtën e vetëmbrojtjes.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Qeveria e Pajtimit Kombëtar e Libisë dënoi operacionin ushtarak ukrainas, gjatë të cilit u fundos korveta ruse “Mercury” në portin e Bengazit, në pjesën lindore të vendit. Autoritetet në Tripoli deklaruan se Libia nuk do të pranojë të përfshihet në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
Bengazi kontrollohet nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar, Ushtria Kombëtare Libiane e të cilit ka lidhje me Rusinë. Ndërkaq, Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e njohur ndërkombëtarisht dhe me seli në Tripoli, kontrollon pjesën perëndimore të Libisë.
Në një reagim të publikuar në Telegram, Sybiha mohoi se Ukraina po përpiqet ta përfshijë Libinë në luftë apo ta zhvendosë konfliktin në territorin e saj.
“Ukraina nuk po e ‘zvarrit’ askënd në luftë dhe as nuk po e ‘zhvendos’ luftën askund”, deklaroi ai.
“Ukraina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Libisë. Ne theksojmë se veprimet e Ukrainës synojnë kundërshtimin e agresionit të armatosur rus dhe nuk synojnë të dëmtojnë Libinë ose popullin e saj.”
Kryediplomati ukrainas shtoi se e drejta ndërkombëtare nuk e kufizon ushtrimin e së drejtës për vetëmbrojtje vetëm në territorin ku ndodh agresioni, duke argumentuar se ajo mund të ushtrohet edhe në territorin e agresorit apo në ujërat ndërkombëtare.
Sipas Institutit për Studimin e Luftës, anija luftarake ruse kishte qëndruar për disa ditë në portin e Bengazit për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje të tjera, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi. Ajo thuhet se shoqëronte anije tregtare që mund të transportonin furnizime ushtarake drejt Rusisë.
Ndërkohë, qeveria në Libinë lindore, me seli në Bengazi, deklaroi se disponon prova se dronët detarë janë nisur nga pjesa perëndimore e vendit. Ajo i kërkoi Kombeve të Bashkuara të hetojnë pretendimet se Ukraina ka vendosur ekspertë ushtarakë në Libi.
Në një intervistë të publikuar sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi gjithashtu përgjegjësinë e Ukrainës për një sulm të veçantë me dron ndaj një anijeje mallrash ruse në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës, të shtunën.
Zelensky tha se anija “Sparta II” ishte objektiv legjitim, pasi, sipas tij, transportonte armë. Ministria ruse e Transportit njoftoi se anija e dëmtuar është kthyer në portin rus të Shën Petersburgut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali