Rrëzohet një helikopter ushtarak turk, katër persona ishin në bord

Rrëzohet një helikopter ushtarak turk, katër persona ishin në bord

Written by

in

Një helikopter ushtarak i Forcave Ajrore të Turqisë, i tipit AS-532, është rrëzuar të martën në provincën e Eskişehirit, gjatë një fluturimi stërvitor.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, e cila ka bërë të ditur se helikopteri ishte ngritur nga Eskişehiri për të zhvilluar një ushtrim stërvitor.

Sipas njoftimit zyrtar, ekipet kanë arritur të lokalizojnë rrënojat e helikopterit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë.

Deri në informacionet e bëra publike në njoftimin fillestar, nuk janë dhënë detaje të plota për shkakun e aksidentit apo gjendjen e katër personave që ndodheshin në bord.

Aksidenti ka ndodhur në afërsi të lagjes Yörükakçayır, në distriktin Tepebaşı të provincës së Eskişehirit.

Pas marrjes së informacionit për rrëzimin e një mjeti ajror, në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipe të shumta të xhandarmërisë, policisë, zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente.

Autoritetet turke ende nuk kanë bërë të ditur se sa persona ndodheshin në helikopter dhe nëse ka viktima apo të lënduar. Po ashtu, nuk është konfirmuar nëse aksidenti ka ndodhur menjëherë pas ngritjes apo gjatë fazës tjetër të fluturimit.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ende informacione për shkaqet e rrëzimit. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse aksidenti është shkaktuar nga ndonjë problem teknik, gabim gjatë fluturimit apo faktorë të tjerë. /Telegrafi/