Gjakova vendos tavolina nga materialet e ricikluara dhe tabela informuese në disa zona natyrore

Gjakova vendos tavolina nga materialet e ricikluara dhe tabela informuese në disa zona natyrore

Written by

in

Në kuadër të nismave për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e turizmit të gjelbër, në disa zona natyrore të Komunës së Gjakovës janë vendosur tavolina dhe ulëse nga materialet e ricikluara, si dhe tabela informuese për vizitorët.

Sipas njoftimit të organizatorëve të projektit, “1thesmeveti”, në fshatin Guskë janë vendosur katër tavolina me tetë ulëse të punuara nga materiale të ricikluara, ndërsa në disa lokacione të tjera janë vendosur gjithsej 10 tabela informuese.

Tabelat janë vendosur në fshatrat Devë, Duzhnje dhe Guskë, si dhe te Ura e Fshajt në lumin Drin, te Ura e Tabakëve dhe në Kodrën e Çabratit.

Këto ndërhyrje vijnë pas aktiviteteve të pastrimit të hapësirave natyrore dhe brigjeve të lumenjve, me synimin që përveç largimit të mbeturinave, këto zona të shndërrohen në hapësira më të përshtatshme për vizitorët dhe komunitetin.

Tavolinat dhe ulëset nga materialet e ricikluara synojnë t’u ofrojnë qytetarëve dhe vizitorëve vende për pushim, ndërsa tabelat informuese kanë për qëllim vetëdijesimin për rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit dhe promovimin e turizmit të gjelbër.

Sipas organizatorëve, qëllimi i nismës është që hapësirat e pastruara të mos mbeten vetëm zona të mirëmbajtura, por të shndërrohen në vende takimi, rekreacioni dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës.

Projekti mbështetet nga Programi Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor 3 (ReLOaD3), i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në partneritet me Komunën e Gjakovës.