
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në prag të 28 nëntorit ditës së shqiptarëve, ka deklaruar në emisionin Rubikon se faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Malaj ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar në disa fusha, përfshirë tregtinë, biznesin, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, infrastrukturën dhe sigurinë.
Ai ka vlerësuar se zhvillimi i këtyre raporteve ndihet drejtpërdrejt nga qytetarët e të dyja vendeve.
“Faktori shqiptar në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por faktori shqiptar në rajon është më i fuqishëm se kurrë. Shqiptarët bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, Shqipëria bashkëpunon ngushtë me Kosovën, si edhe Kosova me Shqipërinë”, ka deklaruar Malaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Ambasadori ka përmendur edhe marrëveshjet mes dy qeverive, të cilat, sipas tij, mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave për nëntë muaj të vitit, pa kontrolle në të dyja anët e kufirit.
Malaj ka theksuar gjithashtu bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
“Më pas marrëdhëniet shkojnë edhe në fushën e sigurisë, shumë të forta. Kemi marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci që flet më mirë për këtë bashkëpunim. Por bashkëpunimi mes dy vendeve shkon edhe më tej, me trajnime e ushtrime të përbashkëta”, ka deklaruar Malaj. /Klankosova.tv