Trump i habitur me rënien e bursave: Humbëm gjashtë trilionë dollarë, dikush le të më tregojë çfarë ndodhi!

Trump i habitur me rënien e bursave: Humbëm gjashtë trilionë dollarë, dikush le të më tregojë çfarë ndodhi!

Written by

in

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur habinë për zhvillimet në tregjet financiare pas zgjedhjeve të fundit afatmesme në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se humbjet kanë arritur në gjashtë trilionë dollarë.

“Nuk e di çfarë dreqin ndodhi në këto zgjedhjet e fundit. Dikush, ju lutem, ma shpjegoni. Pas zgjedhjeve afatmesme, humbëm gjashtë trilionë dollarë. Bota nuk ishte e kënaqur me rezultatet”, deklaroi Trumpi.

Deklarata e tij vjen në një periudhë të luhatjeve në tregjet financiare amerikane, ku investitorët po reagojnë ndaj zhvillimeve politike dhe pasigurisë lidhur me drejtimin e ardhshëm të ekonomisë amerikane.

Megjithatë, situata në Wall Street mbetet e paqëndrueshme. Pas një rikthimi të fuqishëm të hënën, më 23 nëntor, bursat amerikane kanë regjistruar sërish rënie të martën.

Sipas të dhënave gjatë sesionit të së martës, indeksi Nasdaq, i cili përfshin shumë prej kompanive më të mëdha të teknologjisë, ra rreth 2.5 për qind, ndërsa S&P 500 humbi rreth 1.2 për qind. Në anën tjetër, Dow Jones qëndroi pothuajse i pandryshuar, me një rritje të lehtë.

Një prej faktorëve kryesorë që ndikoi në luhatjet e së martës ishte rënia e aksioneve të kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale. Aksionet e Nvidia-s, një prej kompanive më me ndikim në këtë sektor, ranë 8.4 për qind, pasi një ditë më parë kishin shënuar rritje prej 31.5 për qind. Edhe kompanitë e tjera të gjysmëpërçuesve pësuan humbje të konsiderueshme.

Kjo rënie erdhi vetëm një ditë pas një prej seancave më të mira të muajve të fundit në Wall Street.

Të hënën, Nasdaq u rrit 6.5 për qind, S&P 500 shënoi rritje prej 4.7 për qind, ndërsa Dow Jones u ngrit me 3 për qind. Rikthimi u nxit kryesisht nga optimizmi rreth Nvidia-s dhe zhvillimeve në sektorin e inteligjencës artificiale.

Ndryshe, shqetësimet e investitorëve lidhen edhe me vlerësimet e larta të kompanive të inteligjencës artificiale, kostot e mëdha të ndërtimit të qendrave të të dhënave dhe mundësinë e rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale amerikane. /Telegrafi/