Mijëra punonjës protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve buxhetore në sektorin publik

Mijëra punonjës protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve buxhetore në sektorin publik

Written by

in

Rreth 5 mijë persona kanë protestuar të martën në qytetin e Lozanës në Zvicër, kundër masave të kursimit dhe shkurtimeve të planifikuara në sektorin publik të kantonit Vaud.

Protesta u zhvillua në prag të shqyrtimit të buxhetit nga parlamenti kantonal, i planifikuar për 1 dhjetor.

Sipas gazetës zvicerane Le Temps, marshimi u organizua nga sindikatat e punonjësve të sektorit publik dhe gjysmëpublik, SSP dhe SUD.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin Montbenon rreth orës 18:00, ndërsa rreth 45 minuta më vonë marshuan drejt ndërtesës së qeverisë kantonale, duke kaluar nëpër sheshin Saint-François dhe urën Bessieres.

Sipas vlerësimit të agjencisë Keystone-ATS, në protestë morën pjesë rreth 4 mijë persona, ndërsa policia e vlerësoi numrin e pjesëmarrësve në afërsisht 5 mijë.

Në mesin e protestuesve kishte edhe shumë të rinj, të cilët mbanin pankarta me mesazhe kundër shkurtimeve në arsim dhe shërbimet publike.

Gjatë protestës u dëgjuan slogane kundër politikave të kursimit, ndërsa sindikatat kërkuan anulimin e shkurtimeve buxhetore dhe përdorimin e rezervave financiare dhe të të ardhurave të jashtëzakonshme të kantonit për mbulimin e deficitit të parashikuar.

Mobilizimi nuk u kufizua vetëm në marshimin e mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

Gjatë ditës pati protesta dhe greva në disa institucione, përfshirë Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV), Universitetin e Lozanës dhe Shkollën e Lartë të Punës Sociale. Në disa shkolla dhe gjimnaze gjithashtu pati mobilizime.

Kjo ishte dita e dytë e grevës dhe protesta e tretë e organizuar gjatë vjeshtës në kantonin Vaud. Protesta e parë u mbajt më 5 nëntor, ndërsa mobilizimi i mëparshëm u zhvillua më 20 nëntor, kur në Lozanë u mblodhën rreth 10 mijë persona.

Sindikatat kundërshtojnë paketën e shkurtimeve të prezantuar nga autoritetet kantonale në shtator dhe kërkojnë që rezervat financiare të përdoren për të mbuluar deficitin, në vend që barra e kursimeve të rëndojë mbi punonjësit dhe shërbimet publike.

Buxheti do të shqyrtohet nga parlamenti kantonal duke filluar nga 1 dhjetori./Telegrafi/