
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste të mërkurën në Prishtinë, përmes së cilës do t’u bëjë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve të grave.
Protesta do të mbahet më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”. Ajo do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Ndër kërkesat kryesore të RrGK-së është ndryshimi i Kodit Penal, në mënyrë që femicidi, përkatësisht vrasja e grave për shkak të gjinisë së tyre, të përcaktohet si vepër penale e veçantë.
Organizata kërkon edhe krijimin e një mekanizmi për monitorimin dhe analizimin e rasteve të vrasjeve të grave, si dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet që ofrojnë mbrojtje për gratë që përjetojnë dhunë.
Sipas RrGK-së, vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënimet, përndjekja dhe forma të tjera të dhunës. Për këtë arsye, organizata vlerëson se institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet të gjitha raportimet dhe kërkesat për ndihmë.
Në mesin e kërkesave janë edhe zbatimi i plotë i ligjeve në fuqi, përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, vlerësimi i duhur i rrezikut dhe llogaridhënia në rastet kur institucionet dështojnë t’i mbrojnë viktimat.
RrGK thekson se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet të rëndojë mbi gratë që kërkojnë ndihmë, por mbi institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato. Sipas organizatës, deklaratat dhe premtimet pas çdo vrasjeje nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete.
Protesta mbahet një muaj pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast për të cilin dyshohet ish-kunati i saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali