SPDK kërkon shtesë për rrezikshmëri pas sulmit ndaj oficerit doganor në Podujevë

SPDK kërkon shtesë për rrezikshmëri pas sulmit ndaj oficerit doganor në Podujevë

Written by

in

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) ka dënuar sulmin ndaj një oficeri doganor, i cili është goditur nga një automjet të martën në Podujevë, gjatë një kontrolli për dyshime për kontrabandë me telefona celularë.

Në reagimin e saj, SPDK ka bërë të ditur se drejtuesi i automjetit dyshohet se nuk i është bindur urdhrit për ndalim, por e ka goditur me veturë oficerin doganor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sindikalistët u kanë bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të hetojnë me urgjencë rastin, ndërsa kanë kërkuar nga Qeveria që të sigurojë shtesa për rrezikshmëri për oficerët doganorë.

Sipas SPDK-së, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, në vitin 2023, oficerët doganorë nuk kanë përfituar shtesë të veçantë për rrezikshmëri.

Përveç kësaj, sindikata ka kërkuar mbulim shëndetësor dhe sigurim për lëndimet në detyrë e rastet e invaliditetit, si dhe forcimin e masave të sigurisë gjatë kontrolleve doganore në terren, pikëkalimet kufitare dhe terminale.

SPDK ka vlerësuar se oficerët doganorë, të cilët punojnë në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e të hyrave publike, duhet të kenë mbrojtje dhe kompensim që pasqyron rrezikun me të cilin përballen gjatë punës.

Burimi: RTKLive