
Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka dënuar sulmin ndaj një zyrtari doganor, i cili dyshohet se u godit me veturë të martën, më 24 nëntor, në sheshin e Podujevës.
Sipas sindikatës, incidenti ka ndodhur gjatë një kontrolli të automjetit, në kuadër të një rasti nën dyshimet për kontrabandë me telefona celularë. Drejtuesi i veturës dyshohet se nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe ka goditur me automjet zyrtarin doganor, duke i shkaktuar lëndime trupore.
SPDK-ja ka kërkuar nga Policia dhe Prokuroria hetim urgjent të rastit, ndërsa zyrtarit të lënduar i ka uruar shërim të shpejtë.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës (SPDK) dënon ashpër sulmin e raportuar ndaj oficerve doganor, të martën, më 24 nëntor, në Podujevë.
Sipas informacioneve të deritanishme, incidenti ka ndodhur gjatë një kontrolli doganor të një automjeti në kuadër të një rasti me dyshime për kontrabandë me telefona celularë. Dyshohet se drejtuesi i automjetit, pasi iu dha urdhri për të ndaluar për kontroll, e goditi me automjet oficerin doganor, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Jemi të lehtësuar që kolegët tanë kanë shpëtuar nga një incident që mund të kishte pasoja shumë më të rënda. Kolegut të lënduar i urojmë shërim të shpejtë dhe i shprehim solidaritetin tonë të plotë.
U bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë që të hetojnë me urgjencë rrethanat e rastit dhe të ndërmarrin veprimet që parashikon ligji.
Oficerët doganorë punojnë çdo ditë me profesionalizëm dhe përkushtim në terren, në pikëkalimet kufitare dhe në terminale. Me punën e tyre parandalojnë kontrabandën, mbrojnë të hyrat publike dhe kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve. Gjatë ndalimit të automjeteve dhe kontrolleve në terren, ata përballen drejtpërdrejt me rreziqe fizike që e dallojnë punën operative doganore nga puna administrative. Ky dallim duhet të pasqyrohet në mbrojtjen dhe kompensimin e tyre.
SPDK-ja rithekson se që nga hyrja në fuqi e ligjit për pagat në sektorin publik në vitin 2023, oficerët doganorë nuk kanë marrë shtesë të veçantë për rrezikshmëri. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që pa vonesë:
Të sigurojë pagesën e shtesës për rrezikshmëri në përputhje me ekspozimin gjatë detyrave operative doganore.
Të sigurojë mbulim shëndetësor dhe sigurim për lëndimet në detyrë dhe invaliditetin, duke përfshirë trajtimin, rehabilitimin dhe kompensimin në rast të humbjes së aftësisë për punë.
Të forcojë masat e sigurisë gjatë kontrolleve doganore në terren, në pikëkalimet kufitare dhe në terminale, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës.
Oficerët doganorë që zbatojnë ligjin dhe mbrojnë interesin publik meritojnë mbrojtje në detyrë, mbështetje kur lëndohen dhe kompensim që pasqyron rrezikun e punës së tyre.
Burimi: Insajderi