
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se ambiciet e Rusisë shkojnë përtej Ukrainës, duke theksuar se Moska po përshkallëzon tensionet në disa rajone dhe po paraqet kërcënim edhe për vendet evropiane.
Gjatë fjalimit të tij për buxhetin në Bundestag, të mërkurën, Merz ka folur për nevojën që Gjermania të trajtojë urgjentisht çështjet që, sipas tij, janë neglizhuar për një kohë të gjatë, përfshirë mbrojtjen, infrastrukturën, ndryshimet demografike dhe ekonominë.
Megjithatë, pjesën më të ashpër të fjalimit e ka përqendruar te situata e sigurisë në Evropë dhe kërcënimi që paraqet Rusia, duke argumentuar se për këtë arsye nevojiten vendime të rëndësishme, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe Rusia kërkon më shumë se Ukrainën”, ka paralajmëruar Merz.
Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, nuk e kuptojnë natyrën e kërcënimit rus.
“Kushdo që nuk arrin ta kuptojë këtë, ose nuk e kupton botën ashtu siç është, ose po ndjek një agjendë krejtësisht tjetër, një agjendë që bie ndesh me lirinë, hapjen dhe vlerat liberale të vendit tonë”, ka shtuar ai.
Merz ka theksuar se Rusia po shton tensionet në disa pjesë të Evropës dhe më gjerë.
“Rusia po përshkallëzon tensionet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirën e jashtme”, është shprehur kancelari gjerman.
Ai ka paralajmëruar se veprimet e Moskës po shtrihen edhe brenda kufijve të vendeve evropiane, duke përmendur edhe humbjen e jetëve njerëzore.
“Ajo po e përshkallëzon situatën në shkallë masive, përfshirë edhe këtu, brenda kufijve tanë, madje edhe duke shkaktuar humbje jetësh njerëzore. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Dhe kjo është arsyeja pse ne, si evropianë, duhet dhe do ta bëjmë, t’i vendosim Rusisë kufij të qartë”, ka deklaruar Merz.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali